Teatri i Pejës hyn në vitin e pestë pa drejtor

Teatri i Qytetit të Pejës “Istref Begolli” ka hyrë në vitin e tij të pestë pa Drejtor të Përgjithshëm. Ky teatër që nga 2015 po funksionon në këtë mënyrë.

Ndërsa, ka një vit që ka mbetur edhe pa Këshill Drejtues, kurse udhëheqësin artistik nuk arriti ta ketë asnjëherë.

Engelbert Zefaj, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës ka konfirmuar për KALLXO.com se Teatri i Qytetit të Pejës është duke funksionuar pa organet drejtues të tij.

“Teatri i Pejës funksionon pa drejtor që nga viti 2015. Po ashtu, në teatrin e Pejës nuk ka këshill drejtues që një vit”, ka thënë Zefaj për Kallxo.com.

Drejtori Zefaj ka thënë se pret që në pjesën e parë të vitit 2020, Teatri i Pejës do të behet me drejtor dhe trupën këshillëdhënëse.

Aktualisht Teatri “Istref Begolli” ka një trup prej 8 aktorëve rezidentë.

Ndërsa sa i përket buxheti për këtë vit, Zefaj ka thënë se komuna do të ndajë buxhet për projektet artistike, pasi, siç ka thënë ai, pagesat për aktorët dhe stafi teknik do të mbulohen me vijën buxhetore të teatrit.

“Sipas vendimit të Ministrisë së financave, pagesat për aktorët dhe stafi teknik do te mbulohen me vijën buxhetore të teatrit, kurse si komune do të ndajmë subvencione për programin artistik duke u bazuar në kërkesat e teatrit. Këto mjete do të ndahen sipas rregullores 04/2017 për subvencione dhe transfere”, ka pohuar Zefaj.

Ligjërisht, zgjedhja e organeve drejtues të teatrove  të qyteteve, në këtë rast të Teatri ‘Istrf Begolli” janë në përgjegjësi të kryetarit të komunës dhe Këshillit Drejtues.

“Këshillin drejtues të teatrove kombëtare e emëron dhe shkarkon Ministri, ndërsa atë të teatrit të qytetit e emëron dhe shkarkon Kryetari i Komunës”, thuhet në  pikën 6, neni 11 të ligjit për teatrot.

 

 

 

.