Të udhëheqësh me shembull të keq gjatë pandemisë

Në shumë raste gjatë periudhës së krizës shëndetësore, zyrtarët shtetërorë haptazi kanë shkelur masat mbrojtëse ndaj shpërndarjes së virusit, ndërkohë me dhjetëra mijëra qytetarë janë dënuar për shkelje të njejta ose më të vogla të rregullave.

“Të gjithë janë të barabartë para ligjit”, thuhet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Por ja që pandemia ka vënë edhe një herë në pah se një kategori e qytetarëve janë më të barabartë, sikurse në Fermën e Kafshëve të George Orwellit.

Në fundjavë, kryetari i Komunës së Skenderajit, Bekim Jashari, publikoi një fotografi në rrjetet sociale ku shiheshin më shumë se 70 persona, të gjithë burra, në një fotografi krah për krah. Përveç kryetarit të Skenderajit, në atë grup ndodheshin edhe tre kryetarë të tjerë të komunave, një nënkryetar komune, katër deputetë, dy zëvendësministra dhe kryetari i AAK, ish kryeministri Haradinaj. Këtë fotografi me mburrje e shpërndanë edhe zyrtarët tjerë publik që ishin pjesë e atij grupi.

Ky grumbullim i mbi 70 personave, shumica persona zyrtarë, ishte në kundërshtim me Ligjin për prandalimin dhe luftimin e pandemise Covid-19, i cili ndër të tjera parasheh dënime për mos bajtje të maskës dhe mos respektim të distancës, të dyja të dënueshme me nga 35 euro. Por, organet ndjekëse nuk morën asnjë masë për të ndëshkuar personat zyrtarë në këtë fotografi.

Në ditën kur zyrtarët shtetërorë po thyenin çdo dispozitë të Ligjit për pandeminë, Policia e Kosovës shqiptoi me qindra gjoba për të gjithë ata që nuk respektuan masat prandaluese ndaj Covid-19. Njoftimet e policisë tregojnë se çdo ditë shqiptohen mes 500 dhe 1,000 gjoba për shkelësit e rregullave. Që nga hyrja në fuqi e Ligjit për prandalimin dhe luftimin e pandemisë më 25 gusht e deri më 27 tetor 2020, Policia e Kosovës ka shqiptuar afër 55 mijë gjoba. Nuk ishin të pakta rastet kur Policia dënonte persona në vetura familjare, apo të vetëm në veturë.

Por, në ditën kur zyrtarët shtetërorë po fotografoheshin krahë për krahë e pa maska, Refki Hyseni nga Fushë Kosova njoftoi se policia kishte keqtrajtuar djalin e tij 14 vjeçar i cili në momentin e arrestimit nuk kishte po bartte maskë. Më vonë, Inspektorati Policor pranoi se ka filluar hetime ndaj policëve të cilët kanë malltretuar personin të miturin.

Tri ditë pas fotografisë grupore të ish-kryeministrit Haradinaj dhe së paku 11 zyrtarëve të lartë publik, policia dënoi profesorin e Universiteti të Prishtinës, Ardian Gola, për mos mbajtje të maskës në hapësira publike. Pas dënimit, Gola postoi fotografinë kolektive të zyrtarëve shtetërorë, duke i bërë ftesë policisë që me të njejtin kriter ti dënoj edhe zyrtarët publik të cilët haptazi po shkelnin masat parandaluese ndaj Covid-19.

Në shumë raste edhe ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte shkelës i masave për parandalimin e Covid-19. Më 11 korrik 2020, si President i vendit, Thaçi bënte thirrje për respektim rigoroz të masave për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19. Por dy javë më vonë, ai takonte qytetarë të moshuar, ku të gjithë mbartnin maska, me përjashtim të Presidentit. Një muaj më vonë, Presidenti me krenari postonte fotografi nga ndejat nëpër oda, të shoqëuara me kangë tradicionale shqiptare.

Edhe Kryeministri Hoti, publikonte fotografi në rrjetet sociale duke luajtur basketboll në lagje, një ditë pasi qeveria e tij mori 28 masa kufizuese ndaj pandemisë, duke përfshirë edhe ndalimin e aktiviteteve sportive. 

Edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili nga fillimi i pandemisë ka qenë mjaft aktiv me thirrjet e tij që të mbahen maskat dhe të respektohen masat parandaluese, gjatë muajit gusht u shfaq në një darkë së bashku me shumë persona të tjerë publik.

Por, përkundër të gjitha këtyre shkeljeve, asnjë zyrtarë publik nuk është dënuar. Janë e njejta kastë e zyrtarëve shtetërorë të cilët janë shkelës të vazhdueshëm të ligjit. Ishin anëtarët e Qeverisë Haradinaj të cilët më 2017 postuan video në media sociale ku shiheshin duke gjuajtur me armë nga dritarja e një ode në Malishevë. Më vonë gjykatat dënuan dy zyrtarët e qeverisë, njëri nga ta zëvendëskryeminstër, me gjobë nga 1,700 deri 2,400 euro, dënime dukshëm më të ulëta se sa që parashihen me Kodin Penal të Kosovës, apo burgim deri në pesë vjet.

Ajo çfarë është edhe më shqetësuese është se vetë kryesit e këtyre veprave jo ligjore postojnë me krenari dëshmi nëpër rrjete sociale, duke treguar se nuk kanë fare frikë nga ligji, ose nuk janë fare të vetëdijshëm për sjelljet joligjore të tyre. 

Nëse një zyrtarë shtetërorë mer vendim e bën thirrje që qytetarët të bartin maska e të respektojnë masat parandaluese, e në anën tjetër sjellja e tyre dëshmon krejt të kundërtën, është e vështirë që mesazhi i tyre të merret seriozisht nga të tjerët. Zbatimi selektiv i ligjeve është më i keq se mos zbatimi fare i tyre.  

Agron Demi është Hulumtues i Lartë në Institutin GAP në Prishtinë.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.