Ilustrim - Sistemet e tubacioneve në stacionin e marrjes së gazit të Nord Stream 2 në Lubmin, Gjermani.

Të shtunën Rusia pezullon gazin për Finlandën

Gazpromi rus ka informuar Finlandën se do të ndërpresë furnizimet e gazit natyror nga mëngjesi i së shtunës, më 21 maj, njoftoi të premten shitësi shtetëror finlandez i gazit Gasum.

Gasum refuzoi t’i paguante Gazprom-it në rubla, të cilat Rusia ua ka kërkuar vendeve evropiane.

“Është për të ardhur shumë keq që furnizimet e gazit natyror sipas kontratës sonë të furnizimit tani do të pezullohen”, tha drejtori ekzekutiv i Gasumit, Mika Vilanen.

“Megjithatë, ne jemi përgatitur me kujdes për këtë situatë dhe me kushtin që të mos ketë ndërprerje në rrjet, do të mund të furnizojmë me gaz të gjithë klientët tanë në muajt në vijim”, tha ai.

Gasum njoftoi se do të vazhdojë të dërgojë gaz për klientët nga burime të tjera, përmes tubacionit të gazit Balticconnector që lidh Finlandën me Estoninë.

Gasum paralajmëroi të mërkurën se Rusia mund të ndërpresë furnizimin me gaz për shkak të një konflikti rreth pagesës në rubla.

Shumica e gazit që përdoret në Finlandë vjen nga Rusia, por gazi përbën vetëm rreth 5 për qind të konsumit të tij vjetor të energjisë.

Gazprom nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.

Më herët, të premten, para njoftimit për Gasumit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Moska nuk kishte informacion të detajuar në lidhje me kontratat e Gazpromit për furnizim.

“Por, natyrisht, askujt nuk do t’i dërgohet asgjë falas”, shtoi Peskov.

Për shkak të mundësisë së mbarimit të gazit, kompanitë e mëdha finlandeze si Neste, Mets dhe të tjera, janë në kërkim të burimeve alternative të energjisë ose të planeve emergjente për të përshtatur prodhimin e tyre.

Grupi për pylltari Stora Enso njoftoi se tashmë ka zëvendësuar gazin natyror rus me gaz natyror të lëngshëm (LNG) në të gjitha njësitë e tij.

Kompania UPM deklaroi se përdor gazin që shpërndahet përmes gazsjellësit Balticconnector nga furnizuesit perëndimorë, por ende po përgatitet për mundësinë e çrregullimeve afatshkurtra.

Rusia ka pezulluar më parë furnizimet me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, të cilat refuzuan të paguajnë në rubla./REL