Të shtunën do të mbyllet përkohësisht segmenti Konjuh – Babush në autostradën 'Arbën Xhaferi'

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar qytetarët se të shtunën do të ketë mbyllje të përkohshme të segmentit Konjug – Babush, në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Ky segment do të mbyllet më 23 nëntor, nga ora 9:00 deri në orën 16:00, dhe si rrjedhojë e kësaj ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve në trafikun rrugor.

Kjo ndalesë e komunikacionit bëhet për shkak të vendosjes së konstruksionit metalik në mbikalimin për këmbësor, në këtë aks rrugor.

Gjatë kohës së ndalimit të qarkullimit, të gjitha automjetet do të qarkullojnë përmes rrugës nacionale N2 Prishtinë – Hani i Elezit dhe anasjelltas.

“MIT kërkon mirëkuptim nga ana e pjesëmarrësve në komunikacion”, përfundon njoftimi.