Të shtunën dhe të dielën, sërish testohet qarkorja njëkahëshe në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se të shtunën më 21 maj dhe të dielën më 22 maj, duke filluar nga ora 06:00 – 23:40 vazhdon testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të Kryeqyetetit në qarkore njëkahëshe për automjetet.

Sipas komunës qarkorja njëkahëshe gjatë kësaj fundjave do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve:

– Rruga “Agim Ramadani” që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunë

– Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia.

– Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE

– Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore

– Rruga “Garibaldi” deri te semaforët pranë Grandit

Komuna gjithashtu ka bërë njoftimin se, po në këto data, rrugët e poshtë cekura do të jenë të mbyllen për automjete dhe do të shfrytëzohen për aktivitetet e parapara në “Festivali i Pranverës”.

– Rruga “George Bush” deri tek semaforët pranë Katedrales.

– Rruga “Garibardi” deri tek semaforët pranë rrugës ”Dritan Hoxha”.

Komuna u bënë thirrje qytetarëve të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete.

“Qëllimi kryesor i testimit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor”, përfundon njoftimi.