Shtëpia e Bardhë - Foto: REL/Wikipedia Commons
Të shtënat në afërsi të Trumpit, deklarohet Shtëpia e Bardhë
Shtëpia e Bardhë ka reaguar pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri në afërsi të ish-presidentit amerikan, Donald Trump më 15.09.2024.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris janë informuar për incidentin.
“Presidenti dhe Zëvendëspresidentja janë informuar për incidentin e sigurisë në kursin ndërkombëtar të golfit Trump, ku ish-presidenti Trump ishte duke luajtur golf. Ata janë të lehtësuar kur e dinë se ai është i sigurt. Ata do të përditësohen rregullisht nga ekipi i tyre”- citohet deklarata, raporton BBC.
Të shtëna me armë zjarri ka pasur në afërsi të ish-presidentit amerikan, Donald Trump më 15.09.2024 – ka konfirmuar ekipi i fushatës së tij.
Media britanike BBC raporton se sipas ekipit të Trumpit, ish-presidenti është i sigurtë.
“Presidenti Trump është i sigurt”- tha drejtori i komunikimit të fushatës së tij, Steven Cheung, duke shtuar se “nuk ka detaje të mëtejshme për momentin” – raporton më tej BBC.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se Trump – kandidat i republikanëve për president të SHBA-së në zgjedhjet e nëntorit 2024, ishte duke luajtur golf në klubin ndërkombëtar të golfit “Trump në West Palm Beach” në Florida – kur ndodhi incidenti.
Incidenti me armë vjen pasi ish-presidenti amerikan, i shpëtoi një atenati në korrik 2024, nga i cili u plagos në vesh.
Të shtëna me armë zjarri në afërsi të Donald Trumpit – konfirmoi ekipi i tij