Ilustrim

Të shtëna në një aheng në Shtime, shoqërohet në Polici një 38-vjeçar

Një 38-vjeçar me inicialet F.S., është  shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime pasi dyshohet se ai ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar në fshatin Godanc i Epërm të Shtimes.

Sipas komunikatës për media, Policia e stacionit në Shtime, më 10 gusht rreth orës 16:00 ka pranuar një informacion se në këtë fshat, në një aheng familjar ka të shtëna me armë zjarri.

“Policët i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe janë nisur në drejtim të fshatit dhe afër një shtëpie kanë gjetur disa gëzhoja të  shkrepura nga arma e zjarrit (pistoletës)”-thuhet në njoftim.

Tutje, është bërë e ditur se në lidhje me këtë policia e stacionit në Shtime ka identifikuar vendin dhe të dyshuarin dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është kryer një urdhër kontroll në fshatin Gjyrkovc të Shtimes dhe aty janë gjetur tre pistoleta me gaz, një armë zjarri automatike dhe sasi e municionit, të cilat më pas janë konfiskuar.

Ndërkaq, i dyshuari është  shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit është  liruar për procedurë të rregullt të mëtejme hetimore.

Rasti është cilësuar “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armës dhe armëmbajtje pa leje”.