Të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar në Kaçanik, intervenon Policia
Një person është ndaluar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar në fshatin Kovaçec të Kaçanikut.
Rasti ka ndodhur më 05.08.2024 rreth orës 23:45, atëherë kur Policia thotë se pranoi informacionin për të shtënat me armë zjarri.
Sipas policisë, i dyshuari A.M., 39-vjeçar është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“I dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Kaçanik dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore, ndërsa si provë materiale është sekuestruar arma ( pistoletë) dhe sasia e municionit”- thekson Policia e Kosovës në njoftim.
Ndërsa rasti është cilësuar “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
“Me këtë rast policia rajonale e Ferizajt falënderon qytetarët për bashkëpunim, ndërsa inkurajon edhe të tjerët që të bashkëpunojnë me policinë. Sa herë që kanë informacione për veprat penale që rrezikojnë jetën e qytetarëve, të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Policia do të reagojë menjëherë” përfundoi policia.