Të shtëna me armë në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se para rreth një ore është raportuar një rast i të shtënave me armë në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci e ka konfirmuar rastin për KALLXO.com.

“Rreth  orës 21:30 është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet lidhur me rrethanat që karakterizojnë rastin”, ka thënë Borovci.

Ai ka bërë të ditur se informatat e para flasin për dyshimet se persona të dyshuar nga një veturë kanë shtënë në drejtim të një personi dhe me shpejtësi janë larguar nga vendi i ngjarjes.

“Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur persona te lënduar. Aktualisht po vijon puna policore për identifikimin e të dyshuarve si dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre”, ka thënë Borovci.