Ilustrim

Të shtëna me armë në Podujevë, 22 vjeçari në arrati

Policia po kërkon një 22 vjeçar me inicialet A.T., nën dyshimin se ka shtënë me armë zjarri në fshatin Lluzhan të Komunës së Podujevës.

Pas marrjes së informatave për të shtëna armësh policia kishte dalë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para kishte arritur që të gjej një gëzhojë.

“Ndërkohë që është bërë  shikimi i vendit të ngjarjes, është zgjeruar horizonti i punës hetimore për të identifikuar personin që ka shtënë me armë, nga vetura e tij në drejtim të veturës tjetër. Veprimet e shpejta hetimore të policisë kanë rezultuar me identifikimin e të dyshuarit, A. T, 22 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas identifikimit të të dyshuarit, policia ka bastisur edhe shtëpinë e tij ku ka gjetur dhe sekuestruar një armë me dy fishekë.

Arma e konfiskuar në fshatin Lluzhan, Foto: Policia e Kosovës

“Policia konform rekomandimit të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit i cili aktualisht është në arrati, ka iniciuar një hetim për vrasje në tentativë dhe  mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, thuhet tutje në njoftim.