Foto: Policia e Kosovës
Të shtëna me armë në aheng familjar në Shtime, arrestohet një 21-vjeçar
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar në Shtime.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari dyshohet për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.
Policia në komunikatën për media tha se më datë 06.08.2024 në ora 22:20 ka pranuar një informacion se në rrugën “Afrim Selmanaj” në Shtime, në një aheng familjar kishte të shtëna me armë të zjarrit.
Tutje u tha se policët e rendit menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe kanë arritur të identifikojnë personin L.F., 21-vjeçar, tek i cili është gjetur arma me të cilën dyshohet se ka shtënë gjatë ahengut.
Policia njoftoi se i dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.
Si provë materiale për këtë rast është sekuestruar arma, pistoleta, me të cilët dyshohet se është kryer vepra.