Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Të shtëna armësh në Prishtinë, policia arreston një person dhe sekuestron një armë

Një 26 vjeçar me inicialet Rr. M., është arrestuar nga Policia e Kosovës për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, për mbajtje të paautorizuar të armës e dëmtim të pronës.

Kjo pasi që i njëjti dyshohet se dje pas mesnate ka shtënë me armë zjarri në rrugën “Mihail Grameno” në Prishtinë.

Policia nuk ka raportuar për të lënduar por ka treguar se është dëmtuar një automjet.

“Njësitet policore menjëherë kanë ndërmarrë një varg veprimesh operative të cilat kanë rezultuar me identifikimin e personit të dyshuar dhe të njëjtit i është dërguar ftesë për paraqitje në polici”, thuhet në njoftimin e policisë.

Siç tregon policia në një njoftim, i dyshuari sot i është përgjigjur policisë dhe i njëjti pas intervistimit është dërguar në ndalim 48 orë, ndërsa është sekuestruar edhe një armë.

“Personi i dyshuar Rr. M (mashkull) 26 vjeç, i cili dyshohet për veprat, Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, Mbajtja në pronësi , kontroll apo posedim të pa autorizuar të armës dhe Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, është dërguar në qendër të mbajtjes, ndërkohë që për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti janë duke punuar njësitet përkatëse në koordinim me prokurorin e shtetit”, ka thënë policia në njoftim.