Të shtëna armësh dëgjohen në një fshat të Mitrovicës Veriore, policia në vendngjarje

Të shtëna me armë janë dëgjuar pasditen e sotme në një fshat i cili gjendet në Komunën e Zveçanit.

Ky fshat gjendet në zonën e Mitrovicës Veriore, më saktësisht në Zveçan, ndërsa KALLXO.com mëson se ekipet policore tashmë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin rajonal të Mitrovicës Veriore, Besim Hoti.

I njëjti konfirmoi se janë dëgjuar të shtënat por se ende nuk janë bërë të qarta rrethanat.

“Janë dëgjuar disa të shtëna atje në afërsi të pikës kufitare. Nuk e dimë është situata ende e panjohur për neve, nuk ka shkëmbim armësh nuk ka rezistencë. Janë dëgjuar të shtënat dhe policia është nisur në drejtim vendit të ngjarjes, janë nisur edhe hetuesit policor në mënyrë që të sqarohen rrethanat”, tha për KALLXO.com Besim Hoti.

Kujtojmë se të shtëna me armësh janë dëgjuar disa herë gjatë muajve të fundit në pjesën e Mitrovicës Veriore.

Gjithashtu disa sulme në drejtim të policisë kufitare janë regjistruar në javët e fundit ndërsa Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla i ka cilësuar sulmet si akte terroriste nga persona të dyshuar të cilët deri më tani ende nuk janë identifikuar pasi që nuk ka ndonjë njoftim zyrtar në lidhje me këto raste.