Foto: KALLXO.com

Të shqetësuar nga vjedhjet në fshat, banorët e Malishevës së Gjilanit kërkojnë intervenim nga Policia

Banorët e fshatit Malishevë të Gjilanit sot i kanë bërë thirrje publike Policisë së Kosovës që të reagojë ndaj vjedhjeve të shpeshta që po pretendojnë se po ndodhin në fshatin e tyre.

Kryetari i bashkësisë së fshatit, Latif Maliqi, tha për KALLXO.com se banorët e Malishevës po ndihen të alarmuar nga vjedhjet serike që kanë ndodhur muajt e fundit e sidomos në ditët e fundit.

“Disa hajna në mënyrë serike kanë tentuar të demolojnë shtëpitë tona për të hyrë për të vjedhur. Banorët me vetiniciativë kanë tentuar që t’i zënë. Dhe me krejt të drejtë sepse është një gjendje shumë shqetësuese për banorët. Është frikë për ne sepse ata po përdorin periudhën kohore nga ora 21:00 deri në 23:00. Po alarmojnë fëmijë e të rritur”, tha ai.

Maliqi tha se mbrëmë janë gjendur në një situatë shqetësuese pasiqë banorët kanë tentuar ta marrin vetë situatën nën kontroll, kur kanë parë që persona të panjohur kanë tentuar të vjedhin në një shtëpi dhe në një dyqan.

“Ata kanë tentuar ta thejnë një shtëpi dhe një shitore. Pasi që nuk kanë arritur, kanë dalë të gjithë banorët që në mënyrë vetanake t’i zënë ata me automjetet e tyre”, tha ai.

Maliqi ka kërkuar nga organet e sigurisë që të përdorin ndonjë strategji ose task-forcë që të parandalojnë ata para se të eskalojë situata.

Zëdhënësi i Policisë në rajonin e  Gjilanit, Ismet Hashani, tha që nga sot do të shtohen patrullimet e Policisë në fshat në mënyrë që të parandalohen këto vjedhje.

“Policia e Kosovës e ka marrë shumë seriozisht që të mbrojmë pasurinë  e qyetarëve. I shikova statistikat muajve të fundit ishin evidentuar shtatë vjedhje në këtë fshat. Do të kemi patrullime të shtuara dhe do të jemi më syhapurë që këta kryerës të veprave penale të identifikohen dhe të dënohen”, tha ai.