Milan Radoiciç (djathtas) dhe Zvonko Veselinoviç (në mes) me shokun e ngushtë të presidentit serb Aleksandër Vuçiq Nikola Petroviq (i pari nga e majta). Foto: BIRN.

Të sanksionuarit nga ShBA, këto janë akuzat për të cilat po ndiqen nga drejtësia kosovare

Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Zhelko e Andrija Bojiq, Millan e Milojko Radisavleviq, Sërgjan Vuloviq, Marko Roshiq, Millan Mihaloviq, Radovan Radiq, Sinisha Nedelkoviq, Radule Steviq, të gjithë serbë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lista me të sanksionuarit u publikua gjatë ditës së djeshme.

Për disa nga të sanksionuarit, KALLXO.com ka raportuar ndër vite ndërsa të njëjtit janë të njohur për organet e drejtësisë dhe sigurisë.

Duke filluar nga Millan Radoiçiq. Ndaj të njëjtit në mënyrë misterioze është tërhequr një fletë-arrest në fillim të këtij viti.

Valon Kurtaj gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës pati konfirmuar për KALLXO.com se kërkesën për tërheqjen e fletë -arrestit e kishte bërë Prokuroria Speciale e Kosovës.

Radoiçiq për një kohë të gjatë ishte në arrati pasi dyshohej se kishte gisht në vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Gjatë kësaj kohe sa po kërkohej nga organet e rendit në Kosovë, i njëjti nuk mungoi në disa takime e organizime në Beograd me liderë institucionalë atje.

Rasti i vrasjes së Ivanoviqit, pas daljes në pension të ish- prokurorit special Sylë Hoxha, kishte kaluar të prokurori i ri Burim Çerkini.

Ky i fundit kur ishte pyetur nga KALLXO.com për vlerësimin e tërheqjes së fletë- arrestit ndaj Radoiçiqit kishte thënë se rasti ishte konfidencial.

Radoiçiq, lideri “i padukshëm” i serbëve të veriut të Kosovës, i cili ka marrë postin edhe të nënkryetarit të Listës Serbe në vitin 2018, është parë nën shoqërinë edhe të politikanëve të Kosovës.

Fillimisht ai ishte takuar me ish- kryeministrin Ramush Haradinaj në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës e më pas ishte takuar në një jaht në Budvë me të parin e AKR-së, dhe ish- presidentin, Behgjet Pacolli.

Në aksionin e vitit 2019 të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ishte bastisur edhe shtëpia e Radoiçiqit. Gjatë bastisjes ishte gjetur edhe substancë narkotike e llojit kokainë.

Në atë kohë, ish- prokurori special Sylë Hoxha pati thënë se Radoiçiq nuk kërkohej vetëm për dyshimet se ka pasur gisht në vrasjen e Ivanoviqit por edhe për narkotik.

Një tjetër emër i përmendur në listën e të sanksionuarve nga Departamenti i Thesarit në ShBA është Zvonko Veselinoviq. Departamenti e ka cilësuar Veselinoviqin udhëheqës të grupit të krimit të organizuar si dhe një nga figurat më të korruptuara dhe famëkeqe të Kosovës.

Vite më parë, ish- komandanti i KFOR-it Erhard Drews, kishte thënë se Zvonko Veselinoviq kishte qenë organizatori i shumë trazirave në veri.

Veselinoviq, sipas Departamentit të Thesarit të ShBA-së,  është e angazhuar edhe në dhënie ryshfeti me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe në mënyrë që të lehtësohej kontrabanda mes Kosovës dhe Serbisë.

Në vitin 2019, Gjykata në Prishtinë kishte lëshuar një urdhër- arrest ndërkombëtar ndaj Veselinoviq nën dyshimin se pati gisht në ngjarjen e 25 korrikut të vitit 2011, ku mbeti i vrarë pjesëtari i njësitit special të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.

Veselinoviq është përmendur edhe në rastin e vrasjes së ish- politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Aktakuza fillestare përmendi Zvonko Veselinoviqin si drejtues të grupit kriminal përgjegjës për vrasjen e Ivanoviqit.

Vëllai i Zvonkos, Zharko Veselinoviq, cilësohet nga Departamenti i Thesarit si një njeri që i ka ndihmuar vëllait për të frikësuar kompani për projekte të ndryshme e për të zhvilluar aktivitetin e kontrabandës.

Madje ish-komandanti i KFOR-it, Drews, pati thënë se Zharko Veselinoviq kishte organizuar kohë më parë edhe sulmin në Jagnjenicë i cili gjendet në zonën e Zubin Potokut.

I sanksionuari tjetër, është edhe Zhelko Bojiq. I njëjti ka punuar si zyrtar policor në Policinë e Kosovës ndërsa ndaj të njëjtit janë zhvilluar hetime e janë ngritur aktakuza disa herë.

Në dosjet e organeve të rendit e të drejtësisë, Bojiq figuron me kryerje të veprave penale si, keqpërdorim i detyrës zyrtare si dhe për pengim të të provuarit apo detyrës zyrtare.

Kur në shkurt të këtij viti KALLXO.com pati raportuar për tërheqjen e urdhër-arresteve për Radoiçiqin, e njëjta nuk kishte ndodhur edhe me Zvonko Veselinoviqin dhe Zhelko Bojiqin. Ata figuronin ende në listën e të kërkuarve.

Urdhër-arrest ishte lëshuar edhe për Millan Mihajloviqin i  njohur si “Popi” nën dyshimet për kryerje të veprave penale në Kosovë.

Në mesin e të sanksionuarve janë edhe Millan dhe Milojko Radisavleviq nga Zubin Potoku të cilën janë në kërkim dhe në arrati që nga viti 2019. Të njëjtit së bashku me shumë persona të tjerë disa prej tyre zyrtar policor dyshohen se kanë bashkëpunuar për të mundësuar kontrabandë përmes rrugëve ilegale në veri të Kosovës.

Dy të lartpërmendurit sipas informacioneve të KALLXO.com, dyshohen se kanë pasur lidhje të ngushte dhe kanë bashkëpunuar së bashku me zyrtarët policorë, këta të fundit të cilët ishin arrestuar në aksionin e vitit 2019 të udhëhequr nga Inspektorati Policor i Kosovës ndërsa pamjet ekskluzive të kontrabandës në atë zonë i kishte filmuar dhe transmetuar KALLXO.com.

Millan Radisavleviq po kërkohet edhe nga aksioni i fundit i Policisë së Kosovës së bashku me Doganën e Kosovës i cili u organizua më 13 tetor të këtij viti në veri të Kosovës.

Marko Roshiq është njëri nga të akuzuarit në rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Aktakuza thotë se i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe” me targa KM-014-FZ, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.

Pastaj ceket se, kjo veturë pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllanë e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të të pandehurit Marko Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “GREY” e që është pronë e pandehurit Millan Radoiçiq.

Me futjen këtyre 13 serbëve të Kosovës, në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.