Dekorimet festive ne Kishen e fshatit Pjetershan. Foto: BIRN

Të rinjtë e fshatrave të Gjakovës transformojnë kishat në atraksion të Krishtlindjeve - VIDEO

Në fshatrat e Gjakovës, vullnetarë të rinj po shndërrojnë besimin dhe kreativitetin në kryevepër festive, duke transformuar komunitetet lokale të kishave në atraksione të Krishtlindjeve dhe tërhequr kështu mijëra vizitorë çdo dhjetor.

Famullia e Pjetërshanit, e cila përfshin katër fshatra të vendosura rreth 8 kilometra larg nga qendra e qytetit dhe 80 kilometra nga kryeqyteti – Prishtina, ka fituar famë të gjerë për dekorimet e Krishtlindjeve, kryesisht përmes rrjeteve sociale.

Jozefina, e cila jeton në Zvicër, flet për traditën e vizitës së famullisë gjatë ardhjes në Kosovë në këtë periudhë festive.

“Çdo dimër, kur vij të vizitoj vendlindjen time, ku jam rritur, i sjell fëmijët e mi këtu sepse dua të krijoj kujtime të ngjashme për ta. Dua që ata të ndiejnë këtë nostalgji sa herë që përmendet Kosova”- u shpreh ajo.

Vizitorët në famulli jo vetëm që mund të shijojnë dekorimet mbresëlënëse, por edhe të ngrohen me pije të nxehta të shërbyera në shtëpiza druri brenda oborrit të kishës.

Dekorimet festive në Kishën e fshatit Pjetërshan. Foto: BIRN

Don Marjan Ukaj, prifti i famullisë së Pjetërshanit, tregoi ndikimin e jashtëzakonshëm të këtyre dekorimeve.

“Nga 13 tetori deri më 1 dhjetor kemi pasë të rinj e reja, sidomos vikendeve kemi pasë mbi 50 të rinj, të cilët kanë ardhur dhe punuar në mënyrë vullnetare. Në aspektin financiar janë edhe besimtarët dhe familjet të cilët kontribojnë në oranizmin dhe realizimin e këtij projekti që e kemi që disa vite. Interesimi është jashtëzakonsisht i madh për vizitorë, pikërisht edhe bukuria e bënë këtë vend që njerëzit e ndjejnë veten jashtëzakonisht mirë, sidomos në aspektin shpirtëror”- u shpreh Ukaj.

Ai gjithashtu theksoi se artistika dhe dekorimet, veçanërisht të pemëve përreth, e bëjnë këtë vend magjik.

“Këtë vit shumë vizitorë të cilët kanë ardhur, kanë thënë ‘këtu është arti’, dicka që i ka mahnitë, tërhequr, një gjë të tillë ndoshta nuk e kanë parë as në vendet perëndimore sepse i bëjnë gjërat më të thjeshta. Por, edhe dekorimi i blinave, pemëve del me një mënyrë të mrekullueshme”- shtoi ai.

Të dielën, më 22.12.2024, Ambasada gjermane organizoi një koncert të Krishtlindjeve në famulli. Ambasadori Jorn Rohde u shpreh në rrjetin social X si në vijim:

“Dhimbje e thellë për ngjarjet në Magdeburg (në lidhje me sulmin terrorist në një treg të Krishtlindjeve), por edhe mirënjohje për momentet domethënëse dje në koncertin tonë të Krishtlindjeve në Gjakovë, duke na kujtuar se çfarë ka rëndësi: Dashuria dhe paqja, jo urrejtja dhe dhuna” – shkroi Rohde në X.

Festë për të gjithë

Dekorimet festive ne Kishen e fshatit Pjetershan. Foto: BIRN

Palush Nikolla, përfaqësues i fshatrave të famullisë së Pjetërshanit, reflektoi mbi gëzimin e përbashkët që sjell kjo festë.

“Kemi një rini shumë të veçantë që di të bëjë art dhe është një mrekulli që rinia e kësaj famullie di të bëjë këtë. Gjithë rinia bashkohen të dekorojnë për ta shijuar tjerët, pasi kjo është festë që festohet së bashku”- u shpreh Nikolla.

Përpos Pjetërshanit, famulli të tjera në zonë, si Bishtazhini, Vogova dhe Doblibara, gjithashtu ofrojnë dekorime festive po aq magjepsëse për vizitorët.

Ndërkohë, edhe vetë qyteti është zbukuruar me dekorime festive të financuara përmes investimeve komunale.

“Shtëpizat festive janë pa dyshim atraksioni kryesor i këtij dhjetori”  – shkroi Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, në rrjetet sociale.

Përpos Gjakovës, qytete të tjera në Kosovë gjithashtu ndriçohen me dekorime festive, kryesisht të financuara nga buxhetet komunale.

Prishtina ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme këtë vit me një nga tregjet më të mëdha të Krishtlindjeve në rajon.

Me 120 kasolle druri të shpërndara në tre sheshe kryesore, tregu mirëpret qytetarët çdo ditë nga 1 dhjetori deri në janar, duke ofruar muzikë, ushqim dhe pije.

Gjithashtu, komuna, në bashkëpunim me një operator privat, ka sjellur atraksione të ndryshme për fëmijët, përfshirë një karusel, patinazh në akull, performanca cirku dhe aktivitete të tjera që i dallojnë festimet e këtij viti nga ato të mëparshmet.

Tregu i Krishtlindjeve dhe dekorimet e Prishtinës kanë tërhequr vëmendje të madhe nga mediat ndërkombëtare, duke theksuar jo vetëm atmosferën festive, por edhe kontekstin unik të vendit, ku shumica e popullsisë është myslimane.