Të privuar nga fëmijëria

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 Qershorin, 14 vjeçari Kujtim* gjithë ditën e lume do ta ‘plakë’ në Aeroportin e Prishtinës duke mbledhur kanaqe së bashku me djalin e axhës. 

Aty afër, në fshatin Medvec, Kujtimi jeton me familjen e tij gjashtë anëtarëshe. Ende pa i mbushur 15 vjet, ai është detyruar ta braktis shkollën për ta mbajtur familjen. 

“Nga kanaqet qe i mledhi, fitoj 3 euro në ditë”, thotë ai, në praninë e së ëmës, Selime*. 

Në familje janë katër fëmijë, por vetëm dy prej tyre e ndjekin shkollën. Njëra nga motrat e Kujtimit vuan nga një sëmundje e zemrës dhe i duhet përkujdesje e vazhdueshme. Kjo ka qenë edhe arsyeja që e ka shtyrë Kujtimin për ta braktisur shkollimin.

Selimja thotë se familja merr ndihmë sociale 130 euro në muaj, mirëpo këto nuk dalin as për gjëra bazike. Kaq fiton edhe Kujtimi nga mbledhja e kanaqeve.

Në programin e ri qeverisës, të gjithë fëmijët deri në moshën 2 vjeçare do të përfitojnë 20 euro për çdo muaj, ndërkohë që fëmijët nën moshën 16 vjeçare nga 10 euro. Sidoqoftë, në mungesë të sqarimeve, nuk dihet ende se kur do të jetësohet kjo politikë qeveritare.

Kushtet në të cilat jeton familja janë shumë të rënda. Kutërbimi i erës nga mungesa e kanalizimit të shoqëron gjatë gjithë lagjes.

Fshati ka 200 shtëpi, prej të cilave gati gjysma janë nga komuniteti ashkali. Në lagjen ku jeton Kujtimi, shtëpitë janë donacion nga një organizatë, por disi gjysmë të përfunduara dhe me kushte minimale për jetesë. 

Pothuajse të gjithë fëmijët në lagjen e Kujtimit punojnë.

Të detyruar për ta braktisur shkollën

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, mbi 50 mijë fëmijë në Kosovë jetojnë në kushtet e varfërisë së skajshme, ku më të rrezikuar janë fëmijët nga komunitetet joshumicë.

“Mungesa e arsimit rritë dukshëm rrezikun e varfërisë së fëmijëve, dhe si rezultat detyrojnë ata për angazhim në punë”, thuhet në raportin “Zbatimi i Strategjisë Sektoriale” të MPMS-së në 2018 i hartuar nga Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim.

Sipas këtij raporti, rreth 17% e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë të angazhuar në punë.

Blerim Shabani, Drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, thotë për Prishtina Insight se fëmijët si Kujtimi që punojnë në rrugë u ekspozohen rreziqeve të ndryshme.

“Dalja e fëmijëve në rrugë i rrezikon fëmijët në kuptimin emocional dhe të mirëqenies, se e braktisin shkollën e afektojnë shëndetin fizik dhe emocional dhe e rrisin potencialin për me u shfrytëzu nga rrjete të ndryshme të trafikantëve”, thotë ai. 

Sipas tij, problem është sidomos mungesa e komunikimit ndërkomunal pasi numri më i madh i rasteve në kryeqytet ai thotë se vijnë nga qytetet tjera. Përkundër problemeve me të cilat përballen QPS-të, siç është mungesa e buxhetit dhe stafit, Shabani vlerëson se i përgjigjen secilës kërkesë për intervenim.

Duke mos e dërguar Kujtimin në shkollë, Selimja teknikisht është duke e shkelur ligjin. Një nen i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, thotë se: “fëmijët nën moshën 15 vjeçare nuk mund të punësohen”, ndërsa një tjetër e ndalon “privimin e fëmijës nga e drejta për edukim dhe arsimim”.

Megjithëkëtë Selimja thotë se askush deri më tani nuk ka ardhur për ta regjistruar djalin e saj. 

“E di që nuk bon me ligj me punu, po s’po kemi qare”, thotë ajo.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka krijuar një sistem online të identifikimit dhe raportimit të fëmijëve që e braktisin shkollën. Rastet raportohen në çdo gjysmëvjetor dhe në çdo fundvit. 

Vetëm në vitin e fundit shkollor janë raportuar 1,089 raste nga niveli fillor dhe i mesëm. Shumica janë nxënës nga shkolla e mesme dhe arsyea kryesore del të jenë kushtet e rënda ekonomike.

Edona Kutleshi-Maliqaj, këshilltare për media në këtë ministri, pohon se ky mekanizëm ka mangësi, veçanërisht në identifikimin e fëmijëve që e braktisin shkollën. 

“Ky sistem gjeneron informatën pёr raste nё rrezik tё braktisjes dhe veprimet e shkollave dhe komunave karshi tyre, mirëpo raportimet janё tё vogla: Në vitin shkollor 2017/18 janë 56 raste të raportuara, nё vitin 2018/19 i kemi 133 raste tё raportuara ndërkaq nё vitin shkollor 2019/20 i kemi 53 raste tё raportuara”, thotë Kutleshi.

Lëmoshë për mbijetesë

Një numër i madh i fëmijëve në Kosovë, gjithashtu, detyrohen të kërkojnë lëmoshë nëpër rrugë. Sipas Musa Demirit, zëdhënës për media në Ministrinë e Punës, 119 raste të tilla janë raportuar në vitin 2019.

“Në këto raste Policia e Kosovës ka ngritur kallëzime penale ndaj prindërve fëmijët e të cilëve kërkojnë lëmosh”, thotë ai. “Njëkohësisht janë marrë masa për largimin e tyre nga rruga”.

Por Klevis Vaqari nga Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) thotë se këto të dhëna mund të mos jenë të sakta. 

 “Kosova ende nuk posedon një bazë të të dhënave në nivel nacional ku raportohen rastet e fëmijëve që janë viktima të shfrytëzimit ekonomik”, thotë ajo.

Një fëmijë në rrugë që ka hasur Prishtina Insight është Alma*, një vajzë 5 vjeçare nga komuniteti rom. Ajo tha se familja e saj është shpërngulur në Kosovë nga Shqipëria “për një jetë më të mirë”. 

Megjithatë mundësitë për një jetë më të mirë janë larg realitetit.

Një studim rreth komuniteteve joshumicë i realizuar vitin e kaluar nga Programi i Zhvillimit të OKB-së, UNDP, zbuloi se 78 përqind e romëve nuk ishin në punësim formal, arsim apo trajnim. Kjo krahasohet me 47 për qind të bashkëmoshatarëve të tyre jo-romë. Shifra ishte më e lartë për gratë e reja rome – 88 për qind.

Tërë ditën Ada e vogël arrin të mbledh 10 euro të cilat më pas ua dorëzon prindërve të saj.  

Nëna e saj i ka thënë Prishtina Insight se si familje janë detyruar që vajzën ta nxjerrin në rrugë, pas përpjekjeve për të gjetur punë dhe vështirësive për t’i ushqyer fëmijët.

“Na duhen edhe ilaqet”, thotë ajo.

(*Emrat janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e të intervistuarve)