Arkiv

Të premten mblidhet Kuvendi, shqyrtohet Projektligji për COVID-19

Kryesia e Kuvendit të Kosovës njoftoi se seanca plenare e rradhës do të mbahet të premten me 7 gusht.

Sipas njoftimit, nga ora 10:30 Kuvendi do të vazhdojë punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara, ndërsa nga ora 11:00 do të fillojë seanca re.

Seanca e re do të fillojë me pikat e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, ndërsa më pas pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Më pas, do të vazhdohet me zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës, zgjedhjen e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe shqyrtimin e Propozim-Vendimit për caktimin e pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

“Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë edhe kërkesën e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë për miratimin e Buxhetit të këtij komisioni, si dhe atë të GP të Vetëvendosjes për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.