Të premten mblidhet Kuvendi, në rend dite formimi i Komisionit Hetimor për hidrocentralet

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar propozimin e deputetit të LDK-së, Haxhi Avdyli, mbështetur edhe nga 41 deputetë tjerë nënshkrues, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet të hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Kuvendi njofton se pas diskutimeve, Kryesia vendosi që formimi i këtij komisioni të jetë pikë e rendit të ditës në seancën e së premtes, 14 gusht 2020.

Sipas vendimit të seancës së datës 7 gusht, pikë e parë rendit të ditës së seancës së të premtes, do të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, seanca do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19.

“Në vazhdim të mbledhjes së sotme, Kryesia u njoh me ecurinë e punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, të zhvilluar gjatë muajit qershor të këtij viti dhe për herë të parë të kryesuar nga Kosova. Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com ka publikuar disa hulumtime në lidhje me operimin e hidrocentraleve në Kosovë, që nga ndikimi i tyre në ambient e deri te operimi i tyre pa leje.
Artikujt mbi hidrocentralet mund t’i gjeni në këtë link.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.