Këshilli i Sigurimit i OKB-së - Foto: REL/UnitedNations

Të premten mblidhet Këshilli i Sigurimit të OKB-së, prezantohet raport për Kosovën

Në prag të mbledhjes së radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet këtë të premte, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zahir Tanin.

Sipas njoftimit, Tanin prezantoi në pika të shkurta përmbajtjen e raportit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që do të prezantohet në Këshillin e Sigurimit.

Raporti fokusohet në reformat e qeverisë, sundimin e ligjit, çështje të sigurisë si dhe gjendjen dhe menaxhimin e pandemisë.

Kurse, Kurti thuhet se e falënderoi Tanin për njoftimin rreth raportit dhe sic thuhet në njoftim, ka ngritur disa shqetësime lidhur me pluralizmin dhe demokracinë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

“Duke qenë në prag të zgjedhjeve lokale, është e rëndësishme që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike, ku secili qytetar i Republikës voton mbi bazën e bindjeve personale dhe nuk i nënshtrohet presionit dhe frikësimit dhe se kur raste të tilla janë prezentë ato duhet të monitorohen dhe raportohen, tha ai.

Tutje sipas komunikatë së Qeverisë, “Kurti theksoi domosdoshmërinë për të dënuar përpjekjet e strukturave kriminale dhe sulmet që u bënë në qendrat e regjistrimit në Zubin Potok dhe Zveçan”.

Takimi Albin Kurti dhe Zahir Tanin/ Foto: ZKM