Të premten Kuvendi vazhdon seancën për pikat e papërfunduara

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka njoftuar se të premtën, më 27 nëntor, nga ora 10:00 vazhdon seanca e radhës, për shqyrtimin dhe votimin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara.

Ndërsa, sipas këtij njoftimi, seanca e re e radhës do të mbahet të hënën, më 30 nëntor, ku përveç pikave të zakonshme do të shqyrtohen edhe 12 pika të tjera.

Në këtë seancë pritet të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, ndërsa pritet edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike.

“Në vazhdim, në rend dite do të jetë shqyrtimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2020-2024, si dhe raportet e punës për vitin 2019 të shtatë institucioneve të pavarura: raporti vjetor i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, raporti vjetor i Akademisë së Drejtësisë, raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi, raporti vjetor i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2019, si dhe raporti vjetor i Institucionit të Avokatit të Popullit”, thuhet në njoftim.

Në po të njejtën seancë të së hënes është paraparë të bëhet edhe emërimi i kryesuesit të anëtarëve të Komisionit të Auditimit të ndërmarrjes KOSTT, si dhe zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Ndërsa më 13 dhjetor 2020, Kuvendi do të mbajë një seancë të veçantë për personat me nevoja të veçanta, sipas kërkesës së deputetit Fetah Rudi.

“Në mbledhjen e sotme, Kryesia vendosi që të përsëritet shpallja e konkursit publik për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare”, thuhet në fund të njoftimit.