Të premten dhe të shtunën mbahet audicioni për pranimin e aktorëve të rinj të Teatrit Kombëtar

Të premten dhe të shtunën, më 13 dhe 14 dhjetor 2024, Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) do të mbajë audicion për pranimin e aktorëve të rinj për Trupën Rezidente të aktorëve.

Për katër pozita – sipas Konkursit të shpallur më 21.10.2024 – garojnë 31 kandidatë.

Sipas statutit të TKK-së, përzgjedhja e kandidatëve për Trupën Rezidente të aktorëve bëhet nga një Komision prej 5 anëtarëve, i kryesuar nga udhëheqësi artistik i TKK-së.

Udhëheqësi artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, ka thënë për KALLXO.com se kandidatët konkurrues do t’i nënshtrohen një audicioni, ku secili prej tyre do të ketë në dispozicion 30 minuta.

“Gjatë 30 minutave, kandidatët do të interpretojnë poezi, monolog e këngë dhe do t’u përgjigjen pyetjeve të jurisë.” – ka thënë Mehmeti.

Sipas kritereve të Konkursit, kandidatët që synojnë të jenë pjesë e TKK-së duhet të kenë një diplomë universitare nga Fakulteti i Arteve – Drejtimi i Aktrimit dhe së paku tri vjet përvojë pune aktive në realizimin e roleve në Teatër. Njohja e gjuhës shqipe në nivel të shkëlqyer në të shkruar dhe në të lexuar, në kriteret e Konkursit, cilësohet si e domosdoshme.