Të paktën tetë të vrarë në Indianapolis

Policia në Indianapolis tha se të paktën tetë veta u vranë nga të shtënat me armë në një mjedis të FedEx-it, dhe sulmuesi më pas vrau veten.

Zëdhënësja e policisë, Geane Cook tha se disa të tjerë u plagosën nga të shtënat që ndodhën në një mjedis pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Indianapolisit.

Të paktën katër veta u shtruan në spital, përfshirë një person me plagë të rënda. Dy persona të tjerë u trajtuan në vendin e ngjarjes dhe më pas u liruan në shtëpi, tha zonja Cook.

Sulmuesi nuk u identifikua menjëherë dhe zonja Cook tha se hetuesit janë duke zhvilluar intervista dhe duke mbledhur informacione.

Kompania FedEx tha në një deklaratë se po bashkëpunon me autoritetet për të mbledhur më shumë informata.

Familjarët u mblodhën në një hotel lokal për të pritur informacione për të afërmit e tyre. Disa thanë se punonjësve nuk u lejohet të kenë telefonat e tyre me vete ndërsa punojnë me turne në objekt, duke e bërë të vështirë kontaktin me ta, njoftoi stacioni televiziv WTHR.

Ky ishte sulmi i fundit në një varg të sulmesh në Shtetet e Bashkuara muajt e fundit. Tetë vetë mbetën të vrarë në një sallon masazhesh në Atlanta të Xhorxhias; 10 vetë gjetën vdekjen në një dyqan ushqimesh në Boulder të Kolorados; katër vetë, ndër ta një djalë 9-vjeçar, humbën jetën kur një individ i armatosur hapi zjarr në një zyrë të shitjes së pasurive të patundshme në Orinxh të Kalifornisë.

Ky është incidenti i tretë me vrasje të shumëfishta këtë vit në Indianapolis. Pesë persona, përfshirë një grua shtatzënë, u qëlluan dhe u vranë në muajin janar, dhe një burrë u akuzua për vrasjen e tre të rriturve dhe një fëmije para se të rrëmbente vajzën e tij gjatë një grindjeje në një shtëpi në muajin mars./VOA