Të paktën katër të vdekur nga përmbysja e një varke në kanalin e La Manshit

Të paktën katër persona humbën jetën të mërkurën në orët e para të mëngjesit nga përmbysja e një varke të vogël emigrantësh që po përpiqej të përshkonte kanalin e La Manshit nga Franca në Britani, tha përmes një deklarate qeveria britanike.

“Pas një operacioni të koordinuar kërkim-shpëtimi të udhëhequr nga rojet bregdetare, njoftojmë me keqardhje se ka pasur katër vdekje të konfirmuara si rezultat i këtij incidenti. Hetimet vazhdojnë dhe ne do të japim informacion të mëtejshëm në kohën e përshtatshme”, tha një zëdhënës i qeverisë në një deklaratë.

Kryeministri britanik Rishi Sunak shprehu keqardhjen për humbjen e jetës.

“Jam i sigurt që e gjithë Dhoma (e Komuneve) ndan dhimbjen time për përmbysjen e një varke të vogël në Kanal në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe humbjen tragjike të jetës,” tha zoti Sunak para parlamentit.

“Zemrat tona janë me të gjithë të prekurit. Falenderojmë ata që janë përfshirë në operacionin e gjerë të shpëtimit”, tha ai.

Ministrja e Brendshme britanike Suella Braverman tha se është jetike të ndalohen varkat e vogla me emigrantë që përpiqen të përshkojnë La Manshin si edhe shprehu keqardhjen e thellë për vdekjen e katër personave.

“Është jetike, që t’u japim fund kalimeve të paligjshme në Kanal”, tha ajo.

“Kalimi i kanalit me anije të papërshtatshme është një përpjekje vdekjeprurëse e rrezikshme. Kjo është arsyeja kryesore që ne po punojmë kaq shumë për të shkatërruar modelin e biznesit të kontrabandistëve të qenieve njerëzore: kriminelë të këqij, të organizuar që i trajtojnë qeniet njerëzore si ngarkesë transporti”, tha ajo.

Sekretarja Braverman kohët e fundit e kishte quajtur valën e mbërritjeve të emigrantëve një “pushtim”, duke ngjallur një reagim të ashpër nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Mijëra emigrantë kanë përshkuar kanalin e La Manshit me varka të vogla për të mbërritur në Britani ku shpresojnë të marrin azil. Qeveria britanike ka qenë nën presion për të frenuar valën e personave që paguajnë kontrabandistë për të kaluar kanalin.

Por numri i atyre që bëjnë udhëtimin e rrezikshëm vazhdon të rritet. Rreth 44,000 njerëz e bënë bërë një gjë të tillë deri tani këtë vit, krahasuar me 23,000 vitin e kaluar dhe 8,500 në vitin 2020, sipas shifrave të qeverisë.

Të martën kryeministri Sunak njoftoi masa të reja që synojnë të frenojnë numrin e emigrantëve që arrijnë në Britani përmes kanalit.

Ai tha se se planifikonte të propozonte një legjislacion në fillim të vitit të ardhshëm për të siguruar që njerëzit që mbërrijnë në mënyrë të paligjshme të mos qëndrojnë në vend.

Kryeministri tha se ai po shtonte qindra punonjës për të shqyrtuar kërkesat për azil. Personeli shtesë do të përqendrohet gjithashtu në largimin e shpejtë të emigrantëve shqiptarë, tha zoti Sunak.

Vitin e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të shqiptarëve që kalojnë kanalin. Disa politikanë britanikë thonë se emigrantët nga Shqipëria – e cila është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – nuk kanë pësuar përndjekje që të justifikojë azilin, por po shpërngulen për arsye ekonomike./REL