(Ilustrim) Foto: Facebook / Volodymyr Zelensky

Të paktën gjashtë të vrarë nga sulmet në Lviv

Nga disa sulme ruse me raketa mbi infrastrukturën ushtarake në qytetin perëndimor të Lvivit, më 18 prill janë vrarë të paktën gjashtë persona.

Guvernatori rajonal, Maksym Kozytksiy, tha se gjashtë persona janë vrarë dhe tetë të tjerë, përfshirë edhe një fëmijë janë plagosur nga sulmet ajrore ruse.

Sipas tij, katër raketa ruse kanë goditur Lvivin, tre prej të cilave kanë pasur për cak ndërtesat ushtarake dhe një ka goditur një dyqan gomash. Ai tha se infrastruktura ka pësuar “dëme të mëdha” dhe se ekipet e shpëtimit po shuajnë zjarret e shkaktuara nga sulmet me raketa.

Ndërkaq, kryetari i Lvivit, Andriy Sadovyi, tha se numri i viktimave është gjashtë, ndërkaq 11 janë plagosur, përfshirë edhe një fëmijë.

Lvivi dhe pjesa tjetër e Ukrainës perëndimore kanë qenë më pak të prekura nga luftimet krahasuar me pjesë të tjera të vendit, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Oleksandr Kamyshin, kreu i shërbimeve hekurudhore ukrainase tha se një prej raketave ka goditur pranë një hekurudhe.

Shpërthime janë raportuar edhe në rajonin jugor të Dipropetrovsk si dhe në Kiev. Agjencia e lajmeve Suspilne ka raportuar se dy persona janë plagosur nga sulmet në këtë rajon.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, tha më 18 prill se forcat ruse kanë shkatërruar tetë tanke dhe makina të tjera të blinduara ukrainase. Po ashtu ai pretendoi se kanë rrëzuar tre avionë dhe kanë shkatërruar katër makina ushtarake, por këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Njoftimet për sulme në Kiev, Lviv dhe Dipropetrovsk vijnë teksa Rusia ka vazhduar sulmet në lindje të Ukrainës. Kievi, në anën tjetër, është është zotuar se do të “luftoj deri në fund” në qytetin strategjik të Mariupolit.

Teksa sulmet me raketa po vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Ukrainës, presidenti i këtij shteti, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar ushtarët rusë se po kryejnë tortura dhe rrëmbime në zonat që kanë nën kontroll.

Nëse qyteti-port i Mariupolit bie nën kontrollin rus, atëherë kjo do t’i jepte Moskës fitoren më të madhe në luftë. Por, disa mijëra luftëtarë ukrainas, siç ka vlerësuar Rusia, janë bllokuar në fabrikën e çelikut, Azovstal, kompleksi i së cilës është prej 11 kilometrash katrorë.

“Ne do të luftojmë deri në fund për ta fituar këtë luftë”, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, gjatë një interviste për ABC. Ai tha se Ukraina është e përgatitur që t’i japë fund luftës përmes diplomacisë, nëse është e mundur, “por ne nuk kemi ndërmend të dorëzohemi”.

Ndërkaq, gjatë një adresimi në orët e vona të së dielës, presidenti ukrainas, Zelensky tha se pala ukrainase po bën gjithçka për të mbrojtur lindjen e vendit./REL