Të paktën gjashtë të vdekur nga të shtënat në një paradë festive për 4 korrikun në periferi të Çikagos

Të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe 30 janë dërguar në spitale pas të shtënave në një paradë të 4 korrikut në periferi të Çikagos në Highland Park.

Autoritetet po e trajtojnë rastin si një situatë aktive me armë zjarri, me personin e armatosur që konsiderohej si “i armatosur dhe i rrezikshëm”.

Komandanti i policisë së Highland Park, Chris O’Neill, komandanti i incidentit në vendngjarje, u bëri thirrje njerëzve të strehoheshin në vend ndërkohë që autoritetet vazhdonin kërkimin e të dyshuarit.

Parada filloi rreth orës 10 të mëngjesit sipas orës lokale por ajo u ndërpre papritur 10 minuta më vonë pasi u shkrepën të shtëna. 

Qindra pjesëmarrës të paradës – disa të gjakosur – u larguan nga rruga e paradës, duke lënë pas karrige, karroca për fëmijë dhe batanije.

Ndërkohë, një person është arrestuar, ka deklaruar të hënën në mbrëmje shefi i policisë së Highland Park.

Më shumë se 100 oficerë të zbatimit të ligjit kishin kontrolluar periferinë dhe zonat përreth pas sulmit të armatosur.

Sipas Dr Brigham Temple, drejtor mjekësor i gatishmërisë emergjente në qendrën shëndetësore të Universitetit NorthShore, tridhjetë persona janë plagosur në këtë sulm, me mosha që variojnë nga tetë deri në 85 vjeç. Të paktën katër nga të plagosurit besohet se janë fëmijë./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala