Foto: Israel Defense Forces / fFacebook
Të paktën 21 të vrarë nga një sulm izraelit në Gazë
Një sulm ajror izraelit, në një kamp, ku strehohen personat e zhvendosur në jug të Gazës, la të vrarë të paktën 21 persona – tha drejtori i spitalit ‘Nasser’, Atif al-Hout, në qytetin e Han Junisit.
Nga sulmi kanë mbetur të plagosur edhe 28 persona.
Ushtria izraelite tha se një avion i tij ushtarak goditi zyrtarë të lartë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që “ishin të përfshirë në aktivitete terroriste”, në atë zonë.
Trupat e të paktën 15 viktimave janë dërguar në spitalin ‘Nasser’, por autoritetet shëndetësore thanë se do të jetë e vështirë të dihet numri i saktë i viktimave – pasi që, shumica e trupave të tyre janë gjymtuar e kanë pësuar djegie të rënda.
Sulmi ajror goditi zonën e Muvasit, ku gjendet një kamp që strehon qindra mijëra persona të zhvendosur. Në sulmet e kryera më herët gjatë ditës në Gazë lanë të vrarë tetë persona, përfshirë katër fëmijë – thanë zyrtarët shëndetësorë.
Lufta e Izraelit kundër Hamasit ka shkatërruar zona të mëdha të Gazës dhe ka bërë që 90% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e kësaj enklave të zhvendoset disa herë.
Lufta nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, e duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.
Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë të paktën 44.500 palestinezë, mbi gjysma e tyre gra dhe fëmijë – sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Izraeli, pa ofruar dëshmi, ka thënë se ka vrarë më shumë se 17.000 militantë./REL.