Flamuri i Indisë, Foto: Pixabay

Të paktën 18 të vdekur nga tollovia në stacionin e trenit në Nju Dehli të Indisë

Të paktën 18 persona kanë vdekur si pasojë e një tollovie të krijuar në Nju Delhi të Indisë, ndërsa pasagjerët po bëheshin gati të hipnin në trenat që shkonin në tubimin më të madh fetar në botë, sipas mediave lokale.

CNN shkruan se në mesin e viktimave janë 9 gra dhe 5 fëmijë, që vdiqën në rrëmijën që ndodhi në stacionin e trenit.

Zëvendëskomisioneri i policisë së Delhi, KPS Malhotra, tha për mediat në Indi se përplasja ndodhi vonë të shtunën në mbrëmje, kur vonesat në dy shërbime të trenave dhe një fluks pasagjerësh çuan në mbipopullim.

Ai tha se “situata doli jashtë kontrollit për një periudhë të shkurtër prej 10 deri në 15 minuta”.

Shumë prej atyre që ishin në turmë mendohet se ishin nisur për në Maha Kumbh Mela, tubimi më i madh fetar në botë, në qytetin indian të Prayagraj.

Lajmi vjen vetëm disa javë pasi dhjetëra njerëz u vranë në një përplasje të turmës në vetë tubimin.

Kryeministri indian Narendra Modi tha se ishte i shqetësuar nga vdekjet e fundit.

“Mendimet e mia janë me të gjithë ata që kanë humbur të dashurit e tyre. Lutem që të lënduarit të kenë shërim sa më të shpejtë. Autoritetet po ndihmojnë të gjithë ata që janë prekur” –  shkroi Modi të dielën në X.