Të paktën 100 të vdekur nga shpërthimi në Beirut të Libanit

Libani është në zi pas një shpërthimi të madh në kryeqytetin Beirut, që  vrau të paktën 100 njerëz dhe plagosi më shumë se 4,000 të tjerë.

I gjithë qyteti u trondit nga shpërthimi, i cili filloi me një zjarr në portin e qytetit.

Siç shkruan BBC, presidenti Michel Aoun tha se 2,750 ton nitrat amoniumi ishin ruajtur në mënyrë të pa sigurtë në një depo për gjashtë vjet.

Ai caktoi një takim urgjent të kabinetit për të mërkurën dhe tha se një gjendje e jashtëzakonshme dy-javore duhet të shpallet.

Presidenti Aoun njoftoi gjithashtu se qeveria do të lëshojë 50 milionë euro fonde të emergjencës.

“Ajo që ne po shohim është një katastrofë e madhe,” tha kreu i Kryqit të Kuq të Libanit, George Kettani për mediat lokale. “Ka viktima kudo”.

“Mbi 100 persona kanë humbur jetën e tyre. Ekipet tona janë ende duke zhvilluar operacione kërkimi dhe shpëtimi në zonat përreth,” shtoi Kryqi i Kuq i Libanit në një deklaratë.