Zjarrfikësit, Foto: Shkodrane Dakaj

Të pakënaqur me vlerën e koeficientit, flasin nga Sindikata e zjarrfikësve

Vlera e koeficientit përmes të cilit llogariten pagat e 80 mijë punëtorëve të sektorit publik është caktuar të jetë 105 euro për vitin 2023.

Mirëpo me këtë vlerë nuk janë ndarë të kënaqur Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës.

Kryesindikalisti, Muharrem Beka në një bisedë telefonike me KALLXO.com ka thënë se nuk janë aspak të kënaqur me këto vendime.

“Nuk jemi të kënaqur aspak, nuk jemi të kënaqur me trajtimin që na bëjnë institucionet e vendit që nga pas lufta, nga secila qeveri pa asnjë dallim” – ka thënë ai.

Sipas Bekës, me një rrogë të një zjarrfikësi është shumë e vështirë që të dalësh në fund të muajit.

Madje sipas kryetarit të kësaj sindikate, zjarrfikësit e Kosovës janë edhe pa përkujdesje institucionale.

“As nuk e dimë a jemi punëtorë të ministrisë, as nuk e dimë a jemi punëtorë të komunës, pa asnjë përkujdesje institucionale. Tash kjo vlera e koeficientit është në rritje për zjarrfikësit, ne me pagën e vjetër jemi me koeficientin më të ulët në nivel vendi” – shton tutje Beka.

Sipas tij, edhe me Ligjin e ri të pagave për sektorin publik, në raport me shërbimet e tjera emergjente, zjarrfikësit prapë janë me paga më të ulëta.

“Me ligjin e ri prapë jemi në raport më të ulët në raport me shërbimet tjera emergjente. Më të ulët se të Policisë, FSK-së, Doganës, se gardianët” – shprehet ai duke i treguar edhe problemet e tjera që i kanë zjarrfikësit e vendit.

I pyetur nëse do të reagojnë me ndonjë protestë ose grevë për këtë çështje, ai ka thënë se i duhet të bisedojë edhe me sindikata të tjera, por që diçka do të ketë.

“Do të ketë, do të ketë, por nuk mund të them diçka tash sigurt pa u taku edhe me sindikata tjera” – është shprehur ai.

Sipas vlerës sëcaktuar të koeficientit, Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve që ka koeficient 8 dhe vlera e pagës së tij do të jetë 840 euro, zëvendësi i tij me koeficient 7.2 do të ketë pagë 756 euro.

Komandanti i Batalionit me koeficient 6.5 do të ketë vlerën e pagës 682 euro, zëvendësi i tij me koeficient 6.3 do të ketë pagën 661 euro e 50 cent.

Udhëheqësi i togut të zjarrfikësve ka koeficientin 6 ndërsa paga e tij do të jetë 630 euro, zëvendësi i tij me koeficient 5.9 do të ketë pagën 619 euro.

Udhëheqësi i skuadrës me koeficient 5.7 vlera e të njëjtit do të jetë 598 euro e 50 cent, zëvendësi i tij me koeficient 5.5 do të jetë 577.5 euro.

Udhëheqësi i grupit te Zjarrfikësit ka koeficientin 5.2 dhe vlera e pagës do të jetë 546 euro.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.