Foto: Kallxo.com

Të mërkurën pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

Gjatë ditës së sotme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, ndërsa të mërkurën pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

Sipas tij, numri përgjithshëm i fletëvotimeve që do të numërohen është 15 mijë e 482, prej të cilave numri i zarfeve me fletëvotime me kusht është 12 mijë e 960, ndërsa 2 mijë e 522 të tjera u takojnë personave me nevoja të veçanta të cilët kanë votuar përmes ekipeve mobile.

“Numërimi i këtyre votave i hap rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të Komunave. Natyrisht se kjo është e ndërlidhur me ecurinë e punëve këtu në QNR, prandaj nëse gjithçka përmbyllet sipas planit, atëherë KQZ-ja do të mundet që gjatë ditës së mërkurë, 27 tetor, të shpall rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për kryetarë të Komunave”, tha ai.

Zgjedhjet Lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor, nga rezultatet preliminare pritet që 21 komuna të shkojnë në balotazh.