Festivali "Takimet e Poeteshave Shqiptare"; Fotografi: TPSH në Facebook

Të mërkurën mbahet Festivali që promovon poezinë e gruas shqiptare

Për 38 vite festivali “Takimet e Poeteshave Shqiptare” mbledh në Vushtrri poeteshat shqiptare anë e kënd botës që i bashkon arti dhe gjuha shqipe.

Këtë vit për shkak të masave për parandalimin e pandemisë do të mbahet pa prezencën e publikut.

Në këtë edicion do të marrin pjesë 21 poete të përzgjedhura nga juria profesionale.

Edicioni i sivjetmë do të mbahet të mërkurën nga ora 13:00 në Qendrën e Kulturës  “Hasan Prishtina”, në Vushtrri.

Ky festival i cili ka për qëllim promovimin e penës së gruas shqiptare këtë vit ndryshe prej viteve tjera do të përmbyllet brenda ditës.

Nga 21 poezi për katër prej tyre do të ndahen çmimet për poezinë më të mirë.

Çmimi i parë për poezinë më të mirë do të shpërblehet me 500 euro, çmimi i dytë 300 euro, çmimi i tretë 200 euro dhe debutuesja (poetja më e re) me 100 euro.

“Takimet e Poeteshave Shqiptare” është festival i cili promovon vlera kulturore, letrare, i vetmi i tillë në trevat shqiptare.

Vitin e kaluar fituese ishte poetja nga Tirana Etlevë Tafa me poezinë “Ti merr diell dhe hënë prej meje.”Ndërsa çmimin e dytë e fitoi poetja nga Shkodra, Rrezarta Shkurta dhe të tretin Medina Pasoma nga Vushtrria.

Ky festival fillet e tij i ka që nga viti 1979.

Me vendimin e fundit të Qeverisë për masat anti-covid lejohen pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe komunave (teatrot, bibliotekat, filarmonia, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme).

Me këtë vendim lejohen aktivitetet kulturore duke shfrytëzuar vetëm 30% të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitet  duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.”