Ngjyroset pjesa nën urën e Ibrit, Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Të martën u bënë matje, të mërkurën u ngjyrosën muret nën Urën e Ibrit - FOTO

Paraditen e të mërkurës (07.08.2024) u mbajt një protestë e organizuar qytetarë të komunitetit serb, të cilët po kundërshtojnë hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim edhe të automjeteve siç kanë paralajmëruar autoritetet e Kosovës.

Ndërsa pasditen e të mërkurës, punëtorë të ndërmarrjes “Arbotec” kanë filluar ngjyrosjen e mureve nën Urën që ndan e bashkon qytetin e Mitrovicës.

Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë së shpejti mund të lëshohet për qarkullim të automjeteve sipas paralajmërimeve të Qeverisë.

Qeveria, të cilës i prin Albin Kurti, së fundmi dha një tender për testimin e Urës për lëvizjen e mjeteve mbi të.

Kompania fituese është përzgjedhur “IPE-PROING”. Madje, të martën, më 06.08.2024, punëtorët e kompanisë dolën në terren për të kryer disa matje.

Ministria e Infrastrukturës përmes platformës elektronike ka publikuar kontratën për dhënien e një tenderi me titull “Përcaktimi i kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë, me ngarkesa testuese”.

Vlera e tenderit është 9 mijë e 640 euro.

Prej kur nisi diskutimi në publik për mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit përfaqësues të shteteve të huaja në vendin tonë e kanë kundërshtuar si ide.

Testimi i Urës së Ibrit, punëtorët e kompanisë dalin në terren