Deponia e bërllokut në fshatin Poturovc të Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Të jetosh mes deponive ilegale të bërllokut 

Qytetarët e Zveçanit jetojnë në një zonë të ndotur ku mbetjet e ndërmarrjes “Trepça” vazhdimisht paraqesin rrezik për banorët. 

Në mungesë të kujdesit institucional në disa zona janë krijuar edhe deponi ilegale të cilat veç tjerash ndotin edhe ujërat e zonës.

Por kjo komunë veri të Kosovës, nuk është e vetmja që përballet me këtë problem. Halle të tilla kanë shumë komuna në regjione të ndryshme të vendit.

Të dhënat e siguruara nga “Jeta në Komunë”, nëpër vendbanime të ndryshme të Kosovës më 2020, tregojnë për numrin e lartë të deponive ilegale.

Deponi ilegale gjenden edhe në qendër të kryeqytetit të Kosovës, në Prishtinë.

Në janar të këtij viti, as bora nuk ka arritur të mbulojë deponinë në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit. 

https://kallxo.com/lajm/prishtine-deponia-e-mbeturinave-ne-lagjen-arberia-video/ 

Për të shkuar më larg, në fshatin Pasjak të Novobëdës është hasur një deponi e madhe e mbeturinave.

Në anën tjetër, Vrulli i ndërtimeve në Fushë-Kosovë nuk po i lë shumë vend hapësirave të gjelbra në qytet, por as në fshatra.

Hapësirat e gjelbra në disa fshatra po zëvendësohen me deponi të mbeturinave, pasi kjo komunë nuk ka deponi legale për mbeturina inorganike.

Në fshatin Vragoli të kësaj komune, në vendin që njihet si Ramnishta, mbeturinat inerte e kanë kthyer hapësirën e gjelbër në deponi ilegale të mbeturinave.

Kurse, deponia e mbeturinave inerete në Shkozë të Junikut e formuar me vendim të Kuvendit Komunal, po shfrytëzohet edhe për  hudhjen e mbeturinave të tjera të cilat po shpërndahen përgjatë rrugës.

Fotografia tregon gjendje shqetësuese të kësaj deponie.

Deponia, Foto: KALLXO.com

Deponitë e mbeturinave nuk mungojnë as në malet e lumin “Lepenc” në Han të Elezit.

Në anën tjetër, Komuna e Shtimes vetëm gjatë vitit 2019 ka pasur 43 deponi, shtatë të vogla, 15 të mesme dhe 21 deponi të mëdha të mbeturinave.

Në sistemin e grumbullimit të mbeturinave komuna ka thënë se nuk është i përfshirë vetëm fshati Rancë.

Të dhënat e siguruara më 2020, tregojnë se në komunën e Lipjanit janë 10 deponi ilegale të bërllokut. Një e tillë është edhe ajo në fshatin Poturovc të kësaj komune. 

Deponia e bërllokut në fshatin Poturovc të Lipjanit, Foto: KALLXO.com

Ndërkaq, në vetëm 22 prej 58 vendbanimeve të komunës së Kamenicës bëhet grumbullimi i mbeturinave nga kompania përgjegjëse.

Të dhënat tregojnë se në këtë komunë në vitin 2020, kanë qenë 29 deponi ilegale.

Raporti i Ministrisë së Pushtetit Lokal (MPL), për periudhën janar-dhjetor 2019, tregon se në fushën e menaxhimit të mbeturinave, komunat kanë treguar performancë të përgjithshme prej 68.37%. 

Hiç më mire nuk qëndron as komuna e Kaçanikut.

Në fshatrat Llanishtë, Nikaj, Ivajë, por edhe në rrugën “Idriz Seferi” në qendër të qytetit, janë identifikuar disa nga deponitë më të mëdha të mbeturinave.

Edhe në Komunën e Gjilanit na 48 fshtra, në 21 fshatra nuk grumbullohen mbeturinat. 

Ndërkohë, komuna e Malishevës ka rreth 130 deponi ilegale, ndërsa në lagjen “Hoti” në hyrje të kësaj komune, gjendej një deponi e madhe e mbeturinave.

Të dhënat e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës që vepron në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tregojnë se në 33 komuna, në muajin qershor 2019, numri i përgjithshëm i deponive ilegale në këto komuna është 2,246 sosh. 

raportin mbi menaxhimin e mbeturinave komunale në Kosovë, thuhet, se nëse të dhënat për numrin e deponive krahasohen me sipërfaqen e komunës, atëherë më shumë deponi për km2 ka pasur në komunat Prishtinë, Pejë, Gjilan dhe Prizren, ndërsa më pak deponi për km2 të territorit të komunave ka pasur në Komunën e Mitrovicës të Ferizajt dhe të Gjakovës.

Ky artikull është mbështetur nga ATRC përmes projektit të mbështetur nga Community Development Fund, “Avokimi dhe Konsolidimi i rrjetëzimit tematik të Organizatave lokale të Shoqërisë Civile”, financuar nga Programi Human Rightivism nga Swedish International Development Cooperation Agency (SIDA), dhe në partneritet me CO-PLAN për zbatimin e projektit “ENV.net factoring the environmental portfolio for WB and Turkey in the EU Policy Agenda” financuar nga Bashkimi Evropian.