Tryeza e rrumbullakët: "Gratë e suksesshme" në Mitrovicë Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Të jesh e suksesshme në Mitrovicë, gratë tregojnë sfidat në komunitet

“Gratë e suksesshme” ishte tema e një tryeze të rrumbullakët që u mbajt më 18.09.2024 në Mitrovicë. Takimi i ndarë në diskutimet për gratë në politikë, gratë në biznes dhe gratë e komunitetit joshumicë bashkoi disa nga gratë e suksesshme të komunës.

Nadire Hasani merret me kultivimin e pemëve dhe perimeve gjithashtu edhe me eksportin e tyre. Ajo tha se sfida më e madhe është nevoja për ta pasur një depo më të madhe për t’i sistemuar punët.

“Merrem me përpunimin e pemëve dhe perimeve, merrem që 12 vite. Që katër vite e bëjmë eksportin. Po ka rritje të çmimeve. Vështirësitë janë edhe për një depo kemi nevojë, s’po kemi mundësi me marrë vet. Një e kemi, por për një numër prej dhjetë grave që punojnë është depo e vogël. Secili biznes ka sfida, mungesa e punëtorëve. Nuk janë të interesum, thojnë ma mirë rrina se me punu”- tha Hasani.

E fermerja Valbone Shyti  tha po ashtu se sfidë më vete janë mungesa e punëtorëve.

“I kam 40 krerë lopë, 70 krerë dele. Mungesa e punëtorëve, sfida ma e madhe është punëtorët. Shumë pak na përkrahin komuna. Asnjë zyrtar komunal nuk u ardhë me na vizitu”- tha fermerja.

Bletarja Maliqe Mustafa thotë se kushtet klimatike joadekuate për bletët janë sfida më e madhe në këtë profesion.

“Sfidë janë kushtet klimatike për fermerë. Dëmtuesen ma të madhe e kemi prej shitësve ilegale për mjaltën që po e bën.Tani po dëmtohemi krejt rrethi i bletarëve. Sa i përket komunës, kurrë komuna ma shumë se qeto vitet e fundit nuk ka ofru perkrahje”- përfundoi Mustafa.

Kurse, drejtoresha  e Shoqatës së paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës – Handikos, Myrvete Hasani tha se e asnjë person me aftësi të kufizuara nuk i përfaqëson në kuvend e as në asamble komunale.

“Ende asnjë deputete as asambliste s’ka dalë me folë për persona me aftësi të kufizume. Duhet me qenë një person me aftësi të kufizume që ka me na përfaqësu në parlament ose në asamble komunale”- tha Hasani.

Ndërkaq, Hysnije Thaqi anëtare e organizatës joqeveritare “Mundësia”, ka thënë se duhet të ngritet zëri për rastet e dhunës ndaj grave në Kosovë.

“Procedurat për rastet e dhunës në familje po shkojnë gjatë. Duhet me e ngritë zanin ma shumë gratë që janë në politikë. Procedurat për dhunë në familje po shkojnë gjatë pastaj deri të vrasja. E për mos me ardhë te kjo gratë në parlament duhet ta ngrisin zërin më shumë dhe jo ta përfaqojnë vetëm partinë”.

Ndërsa nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Axhançiq tha se këto probleme të cilat i atakojnë gratë e kanë shtyrë atë më së shumti të merret me politikë.

“Unë nuk jam politikane e zgjedhur, jam politikane e emëruar si nënkryetare e komunës. Po flas për ato çka më kanë shtyrë që do merrem me politikë. Janë pikërisht këto shqetësime që ju po i ngrisni, të cilat më kanë shtyrë mua si grua që të kyçem në politikë dhe të jap kontributin tim në këtë drejtim. S’po du me i nda gratë ne bazë të etnicitetit, krejt jemi të njëjta. Duhet të bashkëpunojmë”- tha nënkryetarja.

Për nëntemën “Gratë në biznes” gazetarja Majlinda Brahimi ngriti si çështje sfidat në biznes që nga koha e pandemisë.

Takimi u organizua nga profesori i shkencave politike nga Mitrovica, Nexhmendin Spahiu.

Tryeza e rrumbullakët: “Gratë e suksesshme” në Mitrovicë
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Tryeza e rrumbullakët: “Gratë e suksesshme” në Mitrovicë
Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com