Mbledhja e Bordit të ZRrE-së, 31 janar 2022 - Foto: KALLXO.com

Të hyrat e KESCO-s nga tarifat e energjisë rriten për 10.5%

Tarifat e energjisë elektrike do të shtrenjtohen më pak se sa që ishte propozuar fillimisht nga Zyra e Rregullatorit për Energji në fillim të muajit janar.

Rregullatori ka miratuar të hyrat maksimale të KESCO-s në vlerë prej 347 milionë euro. Përveç kësaj, subvencioni i Qeverisë së Kosovës do të jetë 100 milionë euro, 90 milionë euro të ndara me vendim të qeverisë dhe 10 milionë euro të tjera që janë ndarë në mes të muajit janar. Me subvencionimi e Qeverisë i bie që shpenzimet e sistemit energjetik për vitin 2022 do të jenë 447 milionë euro.

Me tarifat ekzistuese, Rregullatori ka thënë se do të mblidhen 314 milionë euro çka nënkupton se me tarifat e reja duhet të mblidhen edhe 33 milionë euro shtesë. Të hyrat e KESCO-s që do të mblidhen nga tarifat e energjisë, duke i përjashtuar subvencionet, do të jenë për 10.5% më të larta se sa ato që janë grumbulluar me tarifat aktuale të energjisë.

Në propozimin fillestar të ZRrE-së ishte paraparë që 57.7 milionë euro duhej të mbuloheshin me tarifat e reja, përkatësisht me shtrenjtimin e energjisë elektrike. Propozimi fillestar kishte paraparë një rritje të hyrave të KESCO-s që mblidhen nga tarifat e energjisë në nivel prej 18.4%.

Pra, në vendimin final do të ketë 25 milionë euro më pak nga tarifat e reja, çka nënkupton se rritja e tarifave të energjisë do të jetë për 43% më e ulët se propozimi fillestar.

Kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu ka thënë se vendimi i ZRrE-së për të Hyrat Maksimale të lejuara për KESCO-n, KOSTT-in dhe KEDS-in do t’i dërgohen këtyre kompanive.

“Në bazë të MAR-it, kompanitë janë të obliguara që në një afat sa më të shkurtë të aplikojnë për tarifat e energjisë. Në bazë të aplikimit të tyre, Bordi i ZRrE-së duhet të mblidhet serish për t’i caktuar tarifat e reja të energjisë”, ka thënë Fejzullahu.

Ai ka thënë se domosdoshmërisht do të ketë rritje të tarifave të energjisë duke mos dhënë sqarime shtesë as për përqindjen e rritjes së tarifave e as për nivelin e bllok-tarifave.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 17 janar 2022 ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 cent për kilovat është shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ultë apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 cent është shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se beson që do të ketë mjaftueshëm komente tek ZRrE-ja që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme. Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrja e Ekonomisë ka propozuar që bllok-tarifa të nis 800 kilovat e tutje, e jo siç është propozuar në fillim nga 600 kilovat. Kurse, ministria e Financave ka propozuar që bllok-tarifa të nis nga 1,000 kilovat e tutje.

Me propozimin fillestar të ZRrE-së që konsumatorëve që shpenzojnë mbi 600 kilovat të ketë shtrenjtim të energjisë, janë afër 200 mijë familje që preken nga rritja e çmimit të rrymës.

Rregullatori për operatorin e shpërndarjes KEDS janë aprovuar 179.56 milionë euro kurse për KESCO-n janë aprovuar 347.15 milionë euro.

“ZRrE ka marrë komente ka propozuesi lidhur me të hyrat. Subvencionimin e energjisë nga Qeveria është njëra ndër komponentët kryesore që ka ndikuar në lejimin maksimale te të hyrave andaj këto janë marre parasysh dhe kanë reflektuar në KESCO. Ka komente se kostot që rezultojnë nga kostot me shumicë siç janë margjina, borxhi i keq të mos përfshihen në subvencion. 347.15 milionë euro në krahasim me atë paraprak në 446 me një dallim prej 100 milionë euro të inventarizuar për subvencion”, u tha në mbledhjen e Zyrës së Rregullatorit.