Të huajve u kërkohet largimi i menjëhershëm nga Libani
Shumë shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre që të largohen nga Libani pasi druajnë se ngritja e tensioneve në rajon ka shtuar frikën se mund të ketë zgjerim të konfliktit në Lindje të Mesme, raporton televizioni amerikan, CNN.
Paralajmërimet kanë ardhur pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmuan se po dërgojnë luftanije shtesë në rajon dhe pasi Ambasada libaneze në Uashington u bëri thirrje libanezëve që “të presin çdo biletë të mundshme” për t’u larguar nga territori amerikan. Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, ka thënë se mesazhi për shtetasit britanikë është “Largohuni tani”.
Rajoni është në shkallë të lartë alarmi pasi Irani u zotua se do t’i hakmerrej Izraelit, të cilin e fajëson për vrasjen e liderit politik të “Hamasit”, Ismail Haniyeh, në kryeqytetin iranian në mes të javës së kaluar. Vdekja e Haniyeh ka ndodhur vetëm pak orë pasi një sulm izraelit në kryeqytetin libanez, Bejrut, la të vdekur komandantin e lartë ushtarak të “Hezbollahut”, Fu’ad Shukr.
Në valën e fundit të aktivitetit të madh diplomatik, agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit, IRNA, ka raportuarës ministri i Jashtëm i Jordanisë po zhvillon një vizitë të rrallë në kryeqytetin iranian për t’u takuar dhe shkëmbyer pikëpamjet me zyrtarët e lartë iranianë lidhur me “çështjet dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare”.
Zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësimet se lufta e Izraelit në Gazë, që tashmë është në muajin e nëntë, mund të përhapet dhe të shndërrohet në një konflikt të gjerë me përfshirje të mbarë Lindjes së Mesme.
Mendohet se “Hezbollahu” me bazë në Liban mund të luajë rol të rëndësishëm në çfarëdo hakmarrjeje. Grupi militant është përfshirë në shkëmbime të përditshme zjarri me Izraelin: gjatë natës së shtunë, “Hebzollahu” ka hedhur tridhjetë projektilë, shumica prej të cilëve u neutralizuan nga Izraeli.
Shumë vende tashmë i kanë këhsilluar qytetarët e tyre që të ketë kujdes dhe të mos udhëtojnë në këto vende pas ngritjes së tensioneve të reja./CNN
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com