Ilustrim

Të hënën protestojnë mantelbardhët

Federata Sindikale e Shëndetësisë kanë paralajmëruar protestë për ditën e hënë. Sipas komunikatës së Sindikatës, protesta do të mbahet para ndërtesës së Qeverisë në ora 10:00.

Kryetari i Federatës, Blerim Syla nëpërmes një postimi në rrjetin social Facebbok, ka shkruar se arsye e protestës është gjendja e rëndë sociale e punëtorëve shëndetësor si dhe mos procedimi i Ligjit të Pagave.

“Qëllimi i kësaj Proteste është sensibilizimi i opinionit dhe udhëheqjes vendore lidhur me gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve shëndetësor. Kërkesa jonë madhore është rregullimi i gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësor përmes procedimit të Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari i vitit 2022”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, në komunikatën e Federatës thuhet se kjo kërkesë nuk është politike dhe se ka të bëjë me mirëqenien e punëtorëve shëndetësor.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kërkon që Qeveria të jetë transparente dhe bashkëpunuese me organizatat sindikale në përpilimin e draftit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik, përfundon komunikata sindikale.