Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Të hënën pritet të zyrtarizohet kandidatura e Lushtakut për kryetar të Skenderajt

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Sami Lushtaku, pritet t’i hyjë garës për të qeverisur me Skenderajn në katër vitet e ardhme.

PDK, dega në Skenderaj përmes një njoftimi në rrjete sociale tha se të hënën në ora 19:00 pritet të zyrtarizohet kandidatura e Sami Lushtakut për kryetar komune.

“Njoftohen anëtarët dhe simpatizantë e PDK-së se të hënën më 19 korrik 2021 në ora 19:00 në restorantin Atlantic në Skenderaj, mbahet ceremonia e prezantimi të kandidatit për kryetar të Komunës së Skenderajt, z.Sami Lushtaku”, thuhet në njoftim.

Njoftimin se të hënën do të bëhet zyrtarizimi i tij për kandidat të PDK-së për kryetar të Skenderajt, e ka bërë edhe Sami Lushtaku.

“Ju ftoj që të hënën me 19 korrik 2021 në orën 19:00, në restorantin Atlantic në Skenderaj, të zyrtarizojmë kandidaturën time për kryetar të komunës së Skenderajt për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.

Lushtaku ka udhëhequr edhe në të kaluarën ekzekutivin lokal në Skenderaj, ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale ai u tërhoq nga gara.

Sot gjatë ditës, kryetari aktual i Skenderajt, Bekim Jashari zyrtarizoi kandidaturën për kryetar.

Në muajin qershor, Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me gjobë, në shumë prej 2,000 eurove ndaj Sami Lushtakut, për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj.

Lushtaku ka pranuar fajësinë për veprën penale të kanosjes, ndaj avokatit Gazmend Halilaj. Me të pranuar fajësinë për veprën penale të kanosjes, ndaj Sami Lushtakut është veçuar procedura penale.

Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen për veprat penale tentim vrasje e rëndë, dëmtim të pasurisë dhe armëmbajtje pa leje.

Të akuzuarit Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri pranuan fajësinë vetëm për veprën penale armëmbajtje pa leje ndërsa për tentim vrasje të rëndë dhe dëmtim të pasurisë u deklaruan të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020 pasi i dëmtuari avokati Gazmend Halilaj, më 11 prill 2020 kishte postuar një shkrim në “Facebook” kundër Sami Lushtakut, i akuzuari Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes ndaj Gazmend Halilajt, së bashku me Xhelal Zeqirin më 14 prill rreth orës 15:50 në rrugën “Muhamet Gashi” në Gllogoc, në hyrje të rrugës i kanë zënë pritë te shtëpia e tij.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Ibrahim Lushtaku me veturën “Mistubishi” posa ka ardhur i dëmtuari Gazmend Halilaj me veturën “Nisan Qashai” e ka goditur veturën e të dëmtuarit Halilaj duke e detyruar atë të dalë nga vetura e tij.

Sipas Prokurorisë, pasi vetura e Halilajt është goditur nga vetura e të akuzuarit Lushtaku, ai ka dalë nga vetura dhe ka filluar të ikë për t’iu shmangur sulmit. Në atë moment të akuzuarit kanë dalë me armë nga vetura duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit por nuk kanë arritur ta qëllojnë pasi ai kishte hyrë në një lokal.

Ndërsa Sami Lushtaku akuzohej se më 11 prill pasi e ka lexuar postimin e Gazmend Halilaj në Facebook që kishte të bënte me keqpërdorimin e 1.4 milion eurove në kohën e luftës, e kishte thirrur në Viber të dëmtuarin Gazmend Halilaj duke e kanosur dhe kishte kërkuar nga ai që t’i fshijë ato shkrime.

Aktakuza thotë se Lushtaku e kishte sharë, fyer dhe me qëllim të frikësimit e ka kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardhë me t’kall nuk kam me e lanë” me ç’rast te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Po ashtu Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzoheshin se nga data e panjohur e deri më  22 prill pa lejen e organeve kompetente kanë mbajtur pistoletat e tipit “Ekol” të kalibrit 9 mm dhe “Crvena Zasatava” të kalibrit 9 x 19 mm.

Ish-kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku në vitin 2020 u gjet fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës. Ai sipas prokurorisë ishte arratisur derisa po mbante dënimin prej 12 vitesh për krime lufte në rastin “Drenica”.

Gjykata i shqiptoi dënim me gjobë prej 12 mijë eurove. Ndonëse për këtë vepër penale parashihet dënimi me burgim deri në 3 vite, dhe dënimi me gjobë nuk parashihet si dënim alternativ.