Të hënën paralajmërohet protestë kundër reduktimeve të rrymës

Të hënën është paralajmëruar një protestë kundër reduktimeve të rrymës. Kjo thirrje është bërë përmes rrjetit social ‘Facebook’ nga një grup qytetarësh.

Në mesin e kërkesave të këtij grupi është edhe shkarkimi i ministres së ekonomisë Artane Rizvanolli.

“Të hënën, duke filluar nga ora 13:00, mblidhemi pranë KEDS-it në protestë ndaj kësaj gjendjeje alarmante dhe kërkojmë: Rrymë 24/7, Shkarkim të Ministres Rizvanolli dhe Nacionalizimi i KEDS-it” thuhet në njoftim.

Gjithashtu në njoftim thuhet se KEDS-i po dështon në përmbushjen obligimeve për furnizimin me energji elektrike 24/7 e që një dështim të tillë Qeveria po ia faturon qytetarëve duke e subvencionuar KEDS-in me 20 milionë euro nga paraja publike.

“KEDS bashkë me Qeverinë na e kanë kthyer terrin në Kosovë. Gjatë kësaj jave, Qeveria dhe KEDS-i na informuan se do të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike. Sipas njoftimit zyrtar të tyre, reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë”, thuhet tutje në njoftim.

Në thirrje është bërë e ditur se protesta do të fillojë në ora 13:00 pranë objektit të Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) për të vazhduar tek ndërtesa e Qeverisë.