Reporting House

Të hënën në 'Reporting House', diskutim me fotografin Goran Tomasheviq, fitues i çmimit 'Pulitzer'

“Reporting House” do të mbajë të hënën, më 23.09.2024, një diskutim me fotografin e njohur serb, Goran Tomasheviq, fitues i çmimeve të ndryshme në fotografi.

Diskutimi me fotografin Tomasheviq do të mbahet nga ora 10:00, në ish-Shtëpinë e Mallrave “Gërmia”, përballë Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Goran Tomasheviq, fotograf serb, punoi për agjencinë “Reuters” gjersa ishte duke mbuluar luftën e Kosovës në vitet 90-ta dhe që nga viti 2002 punon për “Globe and the Mail”.

Përmes një komunikate për publikun, “Reporting House” ka bërë të ditur se gjatë bombardimit tre mujor të NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999, Tomasheviq ishte fotografi i vetëm që u lejua të qëndrojë në Kosovë, duke punuar për shtypin ndërkombëtar.

“Ai fotografoi ngjarje përgjatë gjithë luftës në Kosovë. Duke e ditur këtë, ‘Reporting House’ ka arritur të sigurojë 40 fotografi nga koleksioni i Tomasheviq duke përfshirë kështu edhe fotografi të rëndësishme nga Masakra e Burgut të Dubravës dhe bombardimit të NATO-s në këtë burg në vitin 1999”- thuhet në komunikatë.

Tomasheviq kaloi më shumë se 30 vite duke udhëtuar rreth botës për të mbuluar storiet më të mëdha botërore që përfshinë Irakun, Afganistanin, Libinë dhe Sirinë. Për punën e tij ai u nderua me shumë çmime ndërkombëtare, ndër ta edhe çmimin “Pulitzer”.

Përvoja e tij e gjerë, thuhet më tej në komunikatë, përfshinë publikime fotografike nga Ukraina, Sudani i Jugut, Pakistani, Mozambiku, Republika Demokratike e Kongos, Republika e Afrikës Qendrore, Borundi, Nigeria si dhe mbulim i sportit në Lojërat Olimpike dhe në Kupa të Botës.

Po sipas komunikatës, Tomasheviq filloi të fotografojë luftën që vijoi pas ndarjes së Jugosllavisë nga viti 1991 për gazetën e  përditshme “Politika”,  kurse në vitin 1996, Tomasheviq iu bashkua agjencisë më të madhe të lajmeve në botë “Reuters”, duke mbuluar kështu tensionet politike në rritje në Kosovë dhe demonstratat kundër Millosheviqit në qytetin e tij të lindjes në Beograd që nga mesi i viteve 90-ta.

Në 2002, Tomasheviq nga Jerusalem mbuloi luftimet në konfliktin izraelit-palestinez. Ai ka mbuluar luftën në Irak (2003), pranverën arabe, deri te luta civile në Siri dhe tragjedinë në qendrën tregtare në Nairobi në Keni.

Puna e Tomasheviq është shpërblyer me shumë çmime të rëndësishme ndërkombëtare.

Ai është shpërblyer si ‘’Fotografi i vitit nga Reuters’’ më 2003, 2005, 2011 dhe 2013 dhe çmimin ‘’Fotografia e viti nga Reuters’’ në vitin 2008.

Në vitin 2014 ai fitoi vendin e parë në kategorinë  ‘’Stories së lajmeve në zhvillim’’ në Fondacionin World Press Photo dhe çmimin e vendit të dytë dhe të tretë në  ‘’Storia fotograzetareske’’ në “POYi”.

Ai ka fituar çmimin për  ‘’Foton të vitit nga shtypi ndërkombëtar kinez’’ në vitin 2011 si dhe është shpërblyer për kategorinë e lajmeve në zhvillim në vitin 2004 dhe 2012.

Në vitin 2009 ai fitoi ‘’Çmimin SOPA për ekselencë në fotografi të lajmeve’’. Në vitin 2012 Tomasheviq fitoi ‘’Çmimin nga London Frontline Club’’ dhe në vitin 2013 çmimin ‘’Days Japan’’. Në 2005 ai fitoi çmimin në Fotogazetari në kategorinë e portreteve dhe personaliteteve nga Asociacioni i Fotogazetarisë Kombëtare si dhe vendin e tretë për lajme në vitin 2011.

Në vitin 2014 ai u nominua për Çmimin “Pultizer” në kategorinë e fotografimit të lajmeve të fundit. Ekipi i fotografëve nga “The Guardian” zgjodhi Goran Tomasheviq si fotografi më i mirë i agjencisë së tyre për vitin 2013. “International Bussines Times” nga Mbretëria e Bashkuar zgjodhi Tomasheviqin si fotografin më të mirë të agjencisë për vitin 2016.

Në prill të vitit 2019, Tomasheviq dhe disa kolegë të tij nga “Reuters” u nderuan me çmimin “Pulitzer” për fotografimin e lajmeve të fundit, lidhur me mbulimin e migrimit masiv të njerëzve nga Amerika Qendrore dhe Jugore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Goran Tomasheviq ka lindur në Beograd në vitin 1969. Prindërit e tij ishin nga Kosova; babai i Tomasheviqit kishte lindur në fshatin Syriganë afër Banjës në Drenicë (Kosovë), ndërkaq familja e nënës së tij ishte nga Istogu.  Të dy prindërit u zhvendosën në Serbinë e Jugut afër Prokuples shumë kohë para se të fillonte lufta.

Diskutimi do të moderohet nga Jeta Xharra, producente e ‘’Reporting House’’ dhe drejtoreshë e BIRN Kosovës.

Pjesëmarrësit do të mund të shtrojnë pyetje në sesionin që do të vijojë pas prezantimit të punës nga Tomasheviq.