Të hënën ndahen shpërblimet e BE-së për gazetari hulumtuese në Kosovë, organizuar nga BIRN

Të hënën e ardhshme, më 21 dhjetor 2020 në ora 12:00 do të bëhet ndarja e shpërblimeve vjetore të Bashkimit Evropian për storiet më të mira hulumtuese në vitin 2019, e cila organizohet nga Rrjeti Balkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).

Për shkak të numrit në rritje të të infektuarve dhe masave të tjera, ndarja e shpërblimeve të Bashkimit Evropian për Gazetari Hulumtuese do të mbahet tërësisht në platformën Zoom në internet,  andaj të gjitha mediat dhe qytetarët e qytetarët mund të kenë qasje në këtë ngjarje duke klikuar në linkun: Shpërblimi i BE-së për Gazetari Hulumtuese.

Fondi shpërblyes për Kosovën për vitin 2020 (për arritjet në vitin 2019) është 10,000 euro. Çmimi i parë është 5,000, i dyti 3,000 dhe i treti 2,000 euro.

Shpërblimet e këtij viti kanë të bëjnë me storjet hulumtuese të publikuara prej 1 janarit deri më 31 dhjetor 2019, që trajtojnë tema nga fushat e lirisë së shprehjes, sundimit të ligjit, transparencës, shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe mosrespektimit të të drejtave themelore të njeriut.

Të pranishmëve do t’u drejtohet Shefi i Delegacionit të BE-së dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Ambasadori Tomáš Szunyog, anëtarët e jurisë do t’i prezantojnë tri storiet më të mira për vitin 2019.

Juria për shpërblimet e BE-së këtë vit është në këtë përbërje: Kryetar, Xhelal Neziri, gazetar hulumtues shumëvjeçar, redaktor dhe analist politik nga Shkupi, ndërsa anëtarë, Dr. Sefer Tahiri, gazetar shumëvjeçar dhe profesor i gazetarisë dhe i komunikimit në Universitetin e Tetovës dhe Ervin Qafmolla, redaktor dhe gazetar, shef i departamentit për kontroll të fakteve në A2 CNN në Tiranë.

Shpërblimi i BE-së për Gazetari Hulumtuese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi promovon arritjet e jashtëzakonshme të gazetarëve hulumtues dhe dëshiron që të përmirësojë dukshmërinë e gazetarisë hulumtuese cilësore në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi.

Me këtë vazhdohet  realizimi e projektit të çmimeve rajonale të BE-së për gazetari hulumtuese në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi, si dhe pjesë e projektit në vazhdim “Ngritja e cilësisë së lajmeve dhe e gazetarisë së pavarur në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”.

Të gjithë partnerët e përfshirë në këtë projekt kanë ekspertizë të gjerë në fushën e lirisë së medias dhe janë njohura në nivel lokal dhe ndërkombëtar si organizata të forta të pavarura mediatike.

Çmimet ndahen çdo vit në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi.