Të hënën fillon mësimi në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë

Të hënën do të fillojë mësimi në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë.

Shqipe Mehmedi, drejtoreshë e kësaj shkolle, ka thënë se mësimdhënësit i janë përgjigjur pyetjes për fillimin e mësimit më 3 tetor 2022.

“Iu njoftoj se sot, më 29.09.2022 në SHFMU ” Naim Frashëri” Prishtinë, u mbajt mbledhja e Sindikatës të shkollës tonë ku të pranishëm në mbledhje ishin 48 mësimdhënës. Në pyetjen e parashtruar nga kryetari i Sindikatës së shkollës tonë: A pajtoheni të fillojë mësimi të hënën më 03.10.2022, shumica e mësimdhënësve votuan për fillimin e mësimit. Pra ditën e hënë fillon mësimi i rregullt në ShFMU “Naim Frashëri” Prishtinë” – ka njoftuar Mehmedi.

Këshilli Grevist i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) u ka dërguar një letër grevistëve për të marrë mendimin e tyre rreth pezullimit të grevës deri në janar të vitit 2023.

Në letrën e siguruar nga KALLXO.com, Këshilli Grevist ka kërkuar mendimin e grevistëve për të filluar mësimin më 3 tetor 2022.

Greva në sektorin publik dhe në arsim ka filluar më 25 gusht 2022.

Një numër i madh i mësimdhënësve vazhdojnë të jenë në grevë, ndërsa viti shkollor 2022/23 ka filluar në disa shkolla.

Pezullimi i grevës nga tetori deri në janar, SBAShK-u kërkon mendimin e grevistëve