
Të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi mbijetojnë përplasjen e aeroplanit në Toronto
Të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të aeroplanit që u përplas gjatë aterimit në Aeroportin e Torontos, “Pearson” në Kanada kanë mbijetuar – ka bërë të ditur shefja ekzekutive e Aeroportit – ka raportuar të martën, më 18.02.2025, televizioni britanik BBC.
“Jemi shumë mirënjohës që nuk humbi jetën askush dhe se kishte lëndime të vogla.” – ka bërë të ditur Deborah Flint nga Autoriteti i Aeroporteve të Torontos.
Një fëmijë dhe dy të rritur u lënduan më shumë gjatë përplasjes – kanë bërë të ditur Shërbimet e Emergjencës. Pamjet e ndara në mediat sociale kanë treguar sesi aeroplani ka rrëshqitur dhe është rrokullisur. Duket se aeroplanit i mungon së paku njëri krah.
Aeroporti “Pearson” ka bërë të ditur se aeroplani ishte i Kompanisë ajrore “Delta Air”, që ishte ngritur nga Miniapolisi dhe se 80 persona ndodheshin në bord. 76 prej tyre ishin pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit.
Tetëmbëdhjetë pasagjerë janë dërguar në Spital për mjekim të mëtejshëm.
Shërbimi i Emergjencës mjekësore ajrore i Ontarios ka bërë të ditur se kishte dërguar tri ekipe ambulancash ajrore dhe dy të tjera tokësore në vendin e ngjarjes.
Pacientët me lëndime kritike përfshinin një fëmijë, një burrë në të gjashtëdhjetat dhe një grua në të dyzetat – ka bërë të ditur Shërbimi Emergjent.
Në Konferencën e mbrëmjes, zonja Flint ka thënë se reagimi i ekipeve të emergjencave ishte shembullor dhe ka thënë se është merita e tyre që asnjë pasagjer nuk e humbi jetën.
“Delta Air Lines” ka konfirmuar se aeroplani ishte i saj dhe se po operonte prej një Nënkontraktori të saj.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com