Gjendja e njërës prej rrugëve | Foto: Ministria e Infrastrukturës

Të gjitha rrugët e kalueshme, ministri Abrashi bën apel për vozitje me kujdes

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se përkundër reshjeve të vazhdueshme të borës, të gjitha rrugët janë të kalueshme.

Në njoftim theksohet se kompanitë për mirëmbajtje të rrugëve janë duke pastruar rrugët dhe duke hedhur kripë për parandalim të ngricave.

“Ministria e Infrastrukturës njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, se përkundër rreshjeve të vazhdueshme të borës gjatë të shtunës, të gjitha rrugët janë të kalueshme për qarkullim të automjeteve.Kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtje të rrugëve në kompetencë të MI-së, në vazhdimësi janë duke pastruar rrugët nga bora dhe duke parandaluar ngricat e mundshme, me hedhje të kripës,” thuhet në njoftim.

Ndërsa, ministri Arban Abrashi ka bërë thirrje që të vozitet me kujdes për të parandaluar aksidentet.

“Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, bën thirrje për të gjithë vozitësit që t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së makinave, me qëllim të parandalimit të aksidenteve të mundshme në trafikun rrugor,” thuhet tutje në njoftim.

Ministria e Infrastrukturës ka për detyrë të mirëmbajë rrugët magjistrale, rajonale dhe autostradat, kurse rrugët brenda qyteteve janë në kompetencë e qeverisjeve lokale.