Të gjitha alarmet për bomba në shkolla rezultojnë të rrejshme

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se të gjitha alarmet për mjete shpërthyese në shkolla dhe lokacione të tjera kanë rezultuar të rrejshme.

Policia ka thënë se njësitet përkatëse që merren me kontroll në raste të kërcënimeve me mjete shpërthyese, kanë kryer kontrollet e atyre lokacioneve ku në të gjitha ka rezultuar alarme të rrejshme.

“Pas njoftimit të më hershëm për kërcënime me mjete shpërthyese në disa shkolla/lokacione, Policia e Kosovës, njësitet përkatëse që merren me kontroll në raste të kërcënimeve me mjete shpërthyese, kanë kryer kontrollet e atyre lokacioneve dhe në të gjitha lokacionet e kontrolluara nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, pra njoftimet kanë rezultuar të rrejshme”, ka thënë Policia.

Sot gjatë ditës, Policia kishte njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit nga personeli i disa shkollave ka pranuar informacione për kërcënime me mjete shpërthyese (bomba) në disa objekte shkollore, të ndodhura kryesisht në zona të banuara me popullatë serbe.

Policia kishte thënë se bazuar në informacionet e deriatëhershme, këto kërcënime janë bërë në rajone të ndryshme në disa objekte shkollore, në rreth 30 lokacione, e të cilat kërcënime janë pranuar përmes formës elektronike dhe linjave telefonike.

“Referuar informacioneve të pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtyre rasteve, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë, K-9”, kishte thënë Polica.

Në anën tjetër, alarm të rrem për bombë ka pasur edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Policia ka konfirmuar se pas verifikimit dhe ushtrimit të kontrollit në aeroport, ku ishte raportuar për vendosjen e mjeteve shpërthyese, është vërtetuar se këto informacione kanë rezultuar të jenë të rrejshme.

“Puna në aeroport i është kthyer normalitetit dhe qytetarët/udhëtarë kanë vazhduar udhëtimet e tyre”, ka thënë Policia.

Policia konfirmon se alarmi për bombë në Aeroport ishte i rremë