Të enjten para Qeverisë protestojnë punëtorët e Ferronikelit

Punëtorët e Ferronikelit do të protestojnë të enjten para Qeverisë së Kosovës. Sipas komunikatës së Sindikatës së punëtorëve të kësaj kompanie, protesta është organizuar si shenjë revolte ndaj mosinteresimit të Qeverisë së Kosovës për gjendjen e rreth 1,000 punëtorëve të kompanisë, të cilët që nga 8 tetori janë të papunë.

Protesta do të mbahet në ora 11:30 nën organizmin e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve.

“Kërkesë do të jetë trajtimi serioz institucional i kësaj çështjeje për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë. Gjatë protestës do të respektohen rregullat ligjore për luftimin e pandemisë COVID-19”, thuhet në komunikatë.

Ndërmarrja Ferronikeli ka qenë duke kaluar nëpër një kohë të vështirë për shkak të krizës së çmimit të energjisë elektrike në Evropë.

Më 8 tetor, kompania NeWCo Ferronikeli ka njoftuar se është detyruar që përkohësisht të ndërpresë punën si shkak i ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Sipas tyre, çmimi i energjisë është katërfishuar.

“Për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane, kompania NewCo Ferronikeli L.L.C detyrohet të ndërpresë përkohësisht prodhimin. Katërfishimi i çmimit të energjisë ka çuar në marrjen e këtij vendimi që do të zgjasë deri në një moment të dytë kur çmimet të normalizohen”, thuhet në njoftim.

Ferronkeli është konsumator i madh i energjisë dhe rrjedhimisht obligohet që rrymën ta blejë në tregun e lirë. Meqë, Ferronkeli nuk është konsumator i rregulluar, bën që kjo ndërmarrje të afektohet direkt nga rritja e çmimit të energjisë në rajon e Evropë.

Konsumatorët që janë të rregulluar në Kosovë nuk do të kenë shtrenjtim të energjisë elektrike gjatë këtij viti.

Ferronikeli ndal prodhimin për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike

“Përplasja” mes Shalës e Muratit për ndaljen e prodhimit nga Ferronikeli

Rregullatori i Energjisë vendos të mos ketë shtrenjtim të rrymës