Të enjten Kuvendi vazhdon debatin parlamentar për grevën

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të enjten të mbahen dy vazhdime të seancave të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se njëra seancë do të jetë me pikat e papërfunduara nga seanca e të enjtes së kaluar dhe një vazhdim tjetër me pika të papërfunduara të sesionit pranveror.

“U vendos që të enjten të kemi dy vazhdime të seancave të Kuvendit të Kosovës. Një me pikat e papërfunduara nga seanca e të enjtes së kaluar dhe një vazhdim tjetër me pika të papërfunduara të sesionit pranveror të seancës së fundit” – tha Rrustemi.

“Nuk kishte ndonjë vendim për seancë plenare, mbetet që brenda javës të mblidhet Kryesia e Kuvendit dhe të vendosë për rendin e ditës” – shtoi ai.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se seanca e së enjtes vazhdon me debatin për grevën e përgjithshme në Kosovë.

“S’ka se si të ndodhte ndryshe, veç të vazhdojmë ditën e enjte me seancën me debatin për grevën e përgjithshme në Kosovë. Po hyjmë në javën e katërt që mësimi nuk po mbahet. Kjo është e papranueshme dhe kryeneçësia e kryeministrit Kurti, i cili është përgjegjës direkt për këtë situatë” – deklaroi Tahiri.

Tahiri ju ka bërë thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurtit dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që të gjejnë një zgjidhje me sindikatat.

Greva në sektorin publik ka filluar më 25 gusht.

Sindikalistët ndër të tjerash po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.

Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të mbahet mësimi.