Të enjten Kuvendi shqyrton në parim Projektligjin për tërheqje nga Trusti

Kuvendi i Kosovës, të enjten do të shqyrtojë në parim Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale – Trust.

Kështu u vendos në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit.

Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së ka kërkuar nga deputetët ta mbështesin projektligjin.

Tahiri tha qytetarët kanë nevojë për tërheqje të mjeteve për shkak të inflacionit.

“Dua të adresoj diçka që qytetarët po e presin për një kohë të gjatë, pra, projektligji për trustin, i cili u mundëson tërheqje nga 10-30%, kërkesë kjo si rezultat i krizës ekonomike. Ky projekt ligj do jetë pikë e parë e rendit të ditës ditën e enjte. Kjo është e rëndësishme për çdo familje në vendin tonë, pasi inflacioni është shumë i lartë dhe pagat nuk janë rritur. Shpresojmë që ky projektligj do kaloj në lexim të parë”- është shprehur Tahiri.

Derisa, Mimoza Kusari, Lila tha se si Lëvizje Vetëvendosje, nuk e kanë mbështetur tërheqjen e 30% të mjeteve të trustit.

“Qëndrimi i Grupit Parlamentar të LVV-së është i qartë, ne nuk e kemi mbështetur tërheqjen e 30 % të Trustit”- u shpreh ajo.

PDK në vazhdimësi ka kërkuar që të lejohet edhe një tërheqje tjetër nga Trusti, për siç thonë ata t’u dalë në ndihmë qytetarëve.