Të enjten Hoti raporton në Kuvend për marrëveshjen në SHBA e takimet në Bruksel

Seanca në të cilën kryeministri Avdullah Hoti do të raportojë për marrëveshjen në Washington si dhe takimet në Bruksel do të mbahet të enjten.

Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Osmani ka thënë se të enjten do të jenë edhe dy interpelanca, njëra për arsim ndërsa tjetra për gjendjen në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

“Tani po e fillojmë sesionin vjeshtor. Çështja e parë ka të bëjë me raportimin e kryeministrit për dialogun. Ne kemi vendosur si Kryesi që kryeministrin ta ftojmë të raportojë të enjten si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e re. Pas raportimit të kryeministrit për dokumentin e nënshkruar në Washington si dhe takimet në Bruksel ne do t’i kemi dy interpelanca, e para është ftuar nga LVV është ftuar ministri i MASH, për organizimin e vitit shkollor, kurse e dyta është ftesë për interpelancë për MPB dhe ka të bëjë me incidentet në Karaçevë”, tha ajo.

Osmani i ka cilësuar si propagandë raportimet se puna e Kuvendit në sesionin paraprak ka qenë e dobët.

“Për dallim nga një lloj propagande që është bërë lidhur me punën e Kuvendit, sipas të cilës thuhet se vetëm 5 për qind e projektligjeve janë trajtuar në Kuvend më lejoni të potencoj se kjo është një e pavërtetë e madhe sepse dikund mbi 120 ligje Qeveria nuk i pat proceduar në Kuvend në sesion e mëparshëm, pra pa i proceduar Qeveria ka qenë e pamundur që Kuvendi t’i miratojë”, tha ajo.

Pas arritjes së marrëveshjes në Washington, LVV ka kërkuar në Kryesinë e Kuvendit interpelancë për raportimin e kryeministrit Avdullah Hoti për dialogun në SHBA dhe Bruksel.

Hoti ka deklaruar se është i gatshëm të raportojë para deputetëve për zhvillimet në kuadër të procesit të dialogut.